Një tjetër skemë mashtrimi ndaj biznesmenëve i është zbuluar të shumëkërkuarit F. Gj., i cilësuar si “koka” e skemave të mashtrimit.
Mësohet se Florian Gjergji ka tentuar ti marrë një shumë prej 200 mijë euro biznesmenit A. H.
News 24 raporton se është arrestuar nga policia taksisti A. B., 42 vjeç, si personi që shkoi me automjet për të marrë shumën e parave që i ishte kërkuar biznesmenit A. H., përmes mesazheve të dërguara në telefon.
Grupi hetimor ka dyshime se dërguesi i këtyre mesazheve ka qenë F. Gj., i cili siç ka vepruar edhe më parë ndaj biznesmenëve të tjerë, përdorte emrin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.
Pasi ka marrë këto mesazhe, biznesmeni A. H., pronar fabrikës së miellit “Prima” ka bërë denoncim në polici dhe më pas policia ka hetuar çështjen duke arrestuar 42-vjeçarin Ballcaj, që punonte si taksist në kryeqytet.
Në njoftimin zyrtar, policia thotë se po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale, pasi 42-vjeçari është vetëm personi i përdorur për tentativën e marrjes së parave.
F. Gj., 39 vjeç nga Shkodra është shpallur në kërkim që në maj të këtij viti dhe dyshohet se të gjithë aktivitetin kriminal e kryen nga Gjermania. Ai është i dyshuar për 6 raste të mashtrimeve që nga janari i 2023.