Një aksident tragjik që ka lënë pas një viktimë ka ndodhur në aksin Elbasan -Tiranë. Gazetari i Report Tv bënë me dije se viktimë ka mbetur shoferi i automjetit tip Seat i cili dyshohet se ka bërë një parakalim të gabuar dhe si pasojë është përplasur me një kamion. Automjeti me targat AA 209 AR, me të cilin po lëvizte viktima ka qenë i modifikuar dhe punonte me benzinë-gas, gjë që ka bërë rrjedhjen e gazit pas përplasjes dhe më pas shpërthimin në flakë.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se automjeti tip Seat është gjetur me dyert e tavanin hapura nga shpërthimi, ndërsa viktima është transportuar drejt morgut të Elbasanit por si pasojë e shpërfytyrimit nga aksidenti nuk është identifikuar ende. Report Tv ka mundur të sigurojë pamjet nga vendi i ngjarjes ku automjeti tip Seat duket i shkatërruar plotësisht nga shpërthimi ne flake i gazit. Ndërkohë policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po heton në lidhje me zbardhjen e plotë të shkaqeve të këtij aksidenti.
