Banorët e Unazës së Re edhe këtë të diel kanë protestuar në rrugë duke kundërshtuar prishjen e shtëpive pa marrë më parë një dëmshpërblim, i cili do të përllogaritet me vlerën e tregut. Ata janë shprehur se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre dhe rezistencën do ta vijojnë deri në largimin e qeverisë Rama.
Në mbështetje të banorëve ishin edhe deputetë të opozitës së bashkuar dhe prej aty ata bënë thirrje që nesër të gjithë t’u bashkohen protestës së studentëve.
Deputeti i PD-së, Klevis Balliu, i cili e ka ndjekur çdo ditë protestën e banorëve të Astirit është shprehur se nesër të gjithë duhet të janë para kryeministrisë për t’i dhënë lamtumirën e fundit qeverisës së rilindjes.
“Temperaturat po ulen, por banorët këtu sa vijnë e shtohen. Miqtë e Edi Ramës bëhen ministra. Kjo kohë duhet të marrë fund dhe ne duhet t’i kthejmë një përgjigje kësaj mazxhorance dhe ti japim shuplakën e drejtësisë përmes kauzës suaj. Iu kërkoj që të bashkoheni neser me studentët. Armiku juaj është Edi Rama. Ai është kryeministri që bëri një reformë anti-arsim. Kupa është mbushur dhe është koha që t’i japim përgjigjen e duhur, të bashkuar me naftëtarët dhe minatorët, nesër të gjithë para kryeministrisë për t’i dhënë lamtumiren qeverisjes së Rilindjes”, tha ai.BW