Banorët e Astirit kanë zgjedhur të protestojnë me djegie gomash mbrëmjen e sotme. Si çdo pasdite ata bllokuan rrugën tek Unaza e Re, duke kërkuar anulimin e projektit për Unazën e Madhe. Zona u mbulua nga tymi dhe flaka nga djegia e gomave teksa në mbështetje të tyre ishin dhe deputetë të Partisë Demokratike. Klevis Balliu:Demokratë dhe socialistë të hapin sytë dhe të shohin se çfarë po ndodh në Shqipëri, sesi ky projekt po vidhet. Ti themi jo kësaj diktature mafioze, ta shporrim këtë njeri njëherë e mirë. Rama të largohet urgjentisht, të dalë para drejtësisë, të shkojë atje ku e ka vendin, në burg. Nëse këta banorë nuk do të kishin rezistuar, shtëpitë e tyre do të ishin shembur. Nuk kam asnjë dyshim që banorët e Unazës do ta fitojnë këtë kauzë. Sikundër jam i sigurtë që të gjithë qytetarët shqiptarë do ta fitojnë kauzën kundër qeverisë ilegjitime të ardhur në pushtet me paratë e drogës.
I pyetur lidhur me paralajmërimin e banorëve për ngritjen e një çadre dhe futjen në grevë urie, Balliu pati këtë përgjigje:
Klevis Balliu: Menaxhimi dhe organizimi i protestës është i banorëve, por unë mund të them që ciladoqoftë vendimmarrja e tyre, Partia Demokratike do ta mbështesë.Përshkallëzimet e protestës janë mëse të pritshme nëse qeveria nuk stepet dhe nuk tërhiqet nga afera korruptive që po bëhet këtu./OraNews