Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me sipërmarrësit e vegjël në Njësinë Nr. 1 në Tiranë, ku ka premtuar se biznesi do të ketë vetëm një taksë 0,5% të xhiros vjetore. Basha reagoi edhe ndaj fakteve të publikuara nga Kryeministri Edi Rama për pagesat e kryera ndaj bizneseve, duke u shprehur se “e bën për të intimiduar pronarët e bizneseve të thonë që e kanë pagën e luftës”.
Sipas tij, prioriteti i Ramës është pasurimi i tij personal dhe i 5 oligarkëve. Basha tha se makthi i bizneseve do të marrë fund, pasi opozita ka vullnetin për të mos çuar paratë e buxhetit të shtetit tek 5 oligarkë.
“Shqipëria nuk do të jetë më e 5 oligarkëve, por e të gjithë shqiptarëve. Paratë e buxhetit do të shkojnë për të mbështetur biznesin e vogël jo thjesht me një mbështetje të fuqishme, me një paketë fiskale si ajo që kemi propozuar me 0.5 % të xhiros vjetore, e vetmja taksë, asnjë taksë tjetër lokale e qendrore. Mbi të gjitha, duke i çliruar nga makthi i tatimorëve, duke i futur tatimorët në garnizon, përmes një moratoriumi në vitin tonë të parë të qeverisjes dhe pas kësaj, asnjë kontakt fizik midis inspektorëve të shtetit dhe biznesit të vogël apo biznesit në tërësi“,- theksoi Basha.
