Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, instiston se zgjidhja e krizës politike kalon vetëm nga zgjedhjet e parakohshme. Në një intervistë për RTV Ora, Basha tha se është pikërisht kjo arsyeja se pse selia blu dhe opozita e bashkuar janë investuar te reforma zgjedhore.
Por, thotë Basha, kjo kërkon një sjellje realiste dhe jo hipokrite nga ana e mazhorancës. Basha sjell shembullin e Maqedonisë së Veriut, kur thotë se kërkon një qeveri kujdestare që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Gazetari: Për tu rikthyer shkurt te “Rrugëtimi për Shqipërinë.” Duket se ju te të gjithë këto takime keni shpalosur pjesë të programit të PD, kur do të implementohet ky program politik? E them këtë sepse ka një përceptim sikur PD ka hequr dorë nga aksioni politik për largimin e Ramës dhe duket sikur po bëhet gati për zgjedhjet e 2021. Si qëndron e vërteta? Lulzim Basha: PD kërkon zgjedhje të parakohshme si zgjidhje nga kriza. Sot falë aksionit tonë opozitar, falë aksionit tonë qytetar, këtë e kërkon dhe Bundestagu, e kërkojnë dhe partnerët tanë strategjikë euroatlantikë. Vetëm pesë ditë më parë, bashkëraporterët e Këshillit të Europës e thanë qartë që zgjidhja e kësaj krize politike kalon nga zgjedhjet e parakohshme pas reformës zgjedhore.
Prandaj ne jemi të investuar dhe fokusuar për të bërë propozimet tona për reformën zgjedhore sikundër kërkojmë një sjellje realiste dhe jo hipokrite. Ja ku e keni shembullin e Maqedonisë, një qeveri kujdestare që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme është për ne rruga për të garantuar zgjedhjet e parakoshme parlamentare dhe zgjedhjet vendore në një ditë.
Prandaj bashkëbisedimi me qytetarët është një nga shtyllat e veprimtarisë sonë, ku bashkë me qytetarët jo vetëm po shikojmë problemet por po diskutojmë dhe zgjidhjet. Ndërsa në rrafshin politik padyshim që kjo situatë, kjo krizë, kjo gjendje e rëndë si në rrafshin politik por akoma më shumë në rrafshin ekonomik dhe social mund të marrë fund vetëm me një proces zgjedhor të parakohshëm për të cilin as angazhimet tona, as qëndrimet tona nuk kanë ndryshuar dhe nuk do të ndryshojnë.
