Media franceze Europe 1 i ka kushtuar një artikull arrestimit të Behar Bajrit, i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për një sërë akuzash të rënda.
“Franca nuk është dhe nuk do të jetë pika e kthimit e mafies shqiptare”, është ky mesazhi që autoritetet franceze po i dërgojnë drejtuesve të organizatave kriminale në Evropën Lindore.
Sipas informacioneve të medias franceze, Bajri u arrestua të hënën në Strasburg, teksa mësohet se ai kishte aplikuar për azil në vitin 2021 në Francë.
“I kërkuar nga Interpoli dhe i dyshuar si i përfshirë në atentatin ndaj njërit prej rivalëve të tij, ai do të ekstradohet dhe do t’i dorëzohet autoriteteve shqiptare. Behar B., 43 vjeç, konsiderohet kreu i një klani kriminal shqiptar. Ai dyshohet gjithashtu se është përfshirë në atentatin e një prej rivalëve të tij në Shkodër në veri të Shqipërisë në gusht 2020”, thuhet ndër të tjera në artikull.
Bajri ishte në kërkim ndërkombëtar si pjesë e dosjes Metamorfoza. Hetimet nisën në 2019-ën pasi autoritetet belge dhe holandeze siguruan komunikime në rrjetin “Enchro Chat” dhe “SKY”. Nga hetimet rezultoi se biznesmeni Pëllumb Gjoka, tashmë i arrestuar, ka kërkuar nga Behar Bajri që të kryente vrasjen e Kleanthi Musabelli një ish-punonjës i policisë së burgjeve.
Në dosje u zbulua gjithashtu se si Bajri kishte bashkëpunuar edhe me Ervis Martinajn.