Kryeministri Edi Rama ka publikuar fotot e projektit të aeroportit të Vlorës, i cili siç duket nga pamjet, pritet të jetë gjigand. Prezantimi i projektit u bë pasditen e sotme në qytetin bregdetar, ku vetë Rama tha se ndërtimi i këtij aeroporti do t’i japë fund makthit të çmimeve të larta.
“Mendoj që aeroporti i Vlorës duhet të jetë më i madh se i Tiranës, me më shumë funksione dhe me një standard më të lartë. Jo se Vlora është më e rëndësishme se Tirana, se Vlora është edhe më e rëndësishme se New York, se Berlini, por se i Tiranës ka çmime shumë të larta, mungesë kapacitetesh. Tmerri i biletave të shtrenjta të marrë fund një herë e mirë”, deklaroi kreu i qeverisë.
Më tej, Rama deklaroi se ka filluar ndërtimi i aeroportit të Kukësit dhe po punohet edhe për atë të Sarandës, duke shtuar se këta dy aeroporte do jenë me një tjetër profil, ndryshe nga ai i Vlorës, i cili sipas tij, do të ketë një pistë më të madhe se ai i Tiranës. “Kemi filluar ndërtimin e a aeroportit të Kukësit. Njëkohësisht po punojmë për aeroportin e Sarandës. Qoftë Kukësi apo Saranda do kenë aeroporte me një tjetër profil. Ndërkohë që i Vlorës do ketë një pistë 3.2 km, kur Tirana e ka më të vogël. Do mundësojë edhe transportin e mallrave, pasi nuk kemi deri më tani një të tillë. Është me shumë rëndësi, me potencialin që ka Vlora. Por do ketë dhe një funksion të tretë, për mirëmbajtjen dhe riparimin e avionëve.
Këto e bëjnë aeroportin e Vlorës një qendër ekonomike, pasi kontributi në ekonomi do jetë shumë i ndjeshëm. Sipas llogarive, thuhet se çdo lekë i investuar në një aeroport është i shumëfishuar me 27 nga aktiviteti. Nëse 1 mijë vende pune i kërkon direkt aeroporti, vlerësohet që rritja e punësimit në gjithë aktivitetin ekonomik që aeroporti sjell është deri në 27 fish, por na duhen specialistë”, tha Rama nga Vlora.