Categories Lajme

“Dekorata e Flamurit Kombëtar” për vëllezërit e shquar të Rilindjes Kombëtare, Naim, Abdyl dhe Sami Frashëri

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë pune në Frashër të Përmetit, për të vlerësuar dhe nderuar me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, më të lartën në Republikën e Shqipërisë, tre atdhetarët e mëdhenj të kombit shqiptar, vëllezërit Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri, për kontributin e pazëvendësueshëm në zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe rilindjes kulturore e letrare, në shërbim të mbrojtjes së territoreve shqiptare dhe luftës për Pavarësinë e Shqipërisë.

I shoqëruar nga Kryetarja e Bashkisë së Përmetit, Alma Hoxha, autoritetet vendore, përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare dhe forcave politike në vendin tonë, studiues, historianë, intelektualë dhe banorë të shumtë,

Presidenti Meta fillimisht vendosi kurora me lule në bustet e tre vëllezërve Frashëri dhe u përul me nderim e respekt të thellë para jetës e veprës së tyre.

Më pas, Kreu i Shtetit vizitoi shtëpinë muze të vëllezërve Frashëri, monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore, ku ndodhen një sërë dokumentesh që pasqyrojnë historikun e zonës dhe veprimtarinë e ndritur të tre rilindasve të shquar.

Gjithashtu, Presidenti Meta vizitoi edhe Teqenë e Frashërit, një fortesë e nacionalizmit shqiptar, me shumë ndikim tek vëllezërit Frashëri , ku u prit nga Baba Hekuran Nikollari.

Në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast para busteve të tre vëllezërve Frashëri, Kreu i Shtetit i akordoi Abdyl Frashërit (pas vdekjes) “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, me motivacionin: “Si një ndër adhetarët më të shquar në luftën për shpëtimin e trojeve shqiptare, bashkimin e popullit dhe çlirimin kombëtar të shqiptarëve. Si ideolog i spikatur i Rilindjes Kombëtare, një ndër organizatorët kryesorë dhe përfaqësues i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, burrë shteti me vizion, politikan, diplomat e personalitet me merita të jashtëzakonshme, i cili nuk kurseu asgjë për lirinë dhe lartësimin e kombit shqiptar”.

Ndërsa Naim Frashërit (pas vdekjes), Kreu i Shtetit i akordoi të njëjtën dekoratë, me motivacionin: “Për kontributin e pazëvendësueshëm në zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe të rilindjes kulturore e letrare, në shërbim të luftës për Pavarësinë e Shqipërisë. Si poeti kombëtar, mendimtari dhe atdhetari i shquar i Rilindjes Kombëtare. Misionari, mësuesi dhe krijuesi talentuar, i cili i këndoi me përkushtim dhe i bëri jehonë atdhedashurisë, historisë, gjuhës, kulturës, identitetit dhe lirisë së shqiptarit. Frymëzuesi i madh i krenarisë, dinjitetit dhe vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, si dhe orakulli i pashtershëm i lirisë së tyre”.

“Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, Presidenti Meta ia akordoi Sami Frashërit (pas vdekjes) me motivacionin: “Si ideologu i Rilindjes Kombëtare. Atdhetar, dijetar i madh enciklopedist, gjuhëtar, shkrimtar, publicist, përkthyes i shquar, nxitës i vlerave të dijes, shkollimit, emancipimit dhe kurajës qytetare të bashkatdhetarëve. Si vigani i mendimit filozofik, që u ofroi shqiptarëve programin dhe modelin e shtetit të tyre perëndimor. Në vitet më të vështira të kombit ai ofroi vizionin perëndimor, si dhe strategjinë për Pavarësinë, shtetformimin dhe përparimin afatgjatë të Shqipërisë”

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Horoskopi ditor për sot, e Hënë 14 Shtator 2026

Dashi Natyra juaj optimiste nuk do t’ju lërë në asnjë moment të bini pre e…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Gazetarët, padi në Kushtetuese: Kërkojmë pezullimin dhe shfuqizimin e saj, është censuruese

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesë padinë për rregulloren…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Ilir Meta kërkon zëvendësimin e masës me “arrest me burg”

Dhjetra refuzime në të tre shkallët e gjyqësorit nuk e kanë ndalur ish-Presidentin e Republikës,…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Roskovec/ Sulmoi me çekiç babain e ish-bashkëjetueses, i plagosuri dërgohet me urgjencë në spital, autori arratiset

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në fshatin Suk të Bashkisë Roskovec,…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Viti i ri shkollor, mbi 340 mijë nxënës në të gjithë vendin! 25 mijë prej tyre ulen sot për herë të parë në banka

Në të gjitha shkollat e vendit sot ka nisur viti i ri mësimor. Mbi 340…

LEXO ME SHUME