Selektori i Francës, Didier Deschamps, është deklaruar para ndeshjes kundër kombëtares së Shqipërisë. Franca dhe Shqipëria do të luajnë përballë njëra tjetrës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020. Para kësaj ndeshje, Deschamps dha analizën e tij për kombëtaren ‘Kuqezi’, duke thënë se përballë do të kenë një kundërshtar të disiplinuar.
“Është një përfaqësuese që ka ndërruar trajnerin dhe tash drejtohen nga Edoardo Reja. Një trajner me eksperiencë, që ka ndryshuar sistemin e tyre, duke luajtur me 5 mbrojtës. Ka lojtarë me eksperiencë dhe lojtarë të rinj. Është një ekip koherent dhe shumë i disiplinuar” ka thënë fillimisht Deschamps, transmeton ‘Telesport’, përcjell lajmi.net.
“Ndaj Shqipërisë, historikisht nuk ka qenë kurrë lehtë. Pres ndeshje të vështirë. Ka shumë motivim kur një skuadër përballet me kampionët e botës” ishin fjalët e selektorit francez. Franca në këtë takim do të futet me mungesat e Paul Pogba, N’Golo Kante e Kylian Mbappe.