Categories Lajme

Dëshmia tronditëse e 86-vjeçares nga Tropoja: Kur u arratisën prindërit, ne tre fëmijët na çuan në kampin e Tepelenës. Vëllait i plasi mina, i mblodha copat e trupit…

Fëmijët e mbetur vetëm në shtëpi, Shemsedini 9 vjeç, motra e tij Mine 13 vjeçe dhe një motër 11 vjeçe, u bënë objekt i urrejtjes dhe dhunës komuniste: ata u burgosën dhe u transferuan burg pas burgu, derisa përfunduan në internim në kampin e Tepelenës. Shemsedini u internua 9 vjeç në kampin e Tepelenës, ku vuajti 3 vjet padrejtësisht dhe u vra aty në kamp nga një minë lufte.

Të ndodhur nën survejim të përditshëm nga komunistët, i ati, i Shemsedin Mulosmanajt, Gjetë Mulosmanaj, u arratis që komunistët të mos e burgosnin e ta vrisnin atë dhe djemtë e tij të rritur, siç kishin vepruar edhe me vëllain e kushërinjtë e tij. Kalimi i kufirit ishte shumë i vështirë, për shkak të terrenit malor shumë të thyer. Për këtë arsye, ishte e pamundur që ai ta merrte të gjithë familjen. Ai mendoi të merrte me vete dy djemtë e rritur, që ishin drejtpërdrejt të rrezikuar për t’u burgosur, dhe të shoqen, me qëllim që të mos linte në familje asnjë të rritur mbi të cilin të binte goditja e pushtetit komunist. Kështu, fëmijët e vegjël nuk do të prekeshin, prandaj i lanë përkohësisht vetëm në shtëpi. Edhe pse ishin fëmijë të vetmuar, u burgosën e u internuan në kampin e Tepelenës.

Fëmijët vuajtën 3 vjet si të internuar në kampin e Tepelenës, gjersa dikush ngriti zërin se këta fëmijë nuk kishin asnjë kryefamiljar dhe s’duhej të qëndronin në internim. Atëherë u dhanë lirimin, por nuk kishin asnjë mjet për t’u kthyer nga Tepelena, në vendlindjen e tyre në Tropojë, që ishte larg, në veri të Shqipërisë. Në pritje të një makine për t’u larguar, qëndruan akoma mbi një muaj në kampin e Tepelenës.

Fatkeqësisht, duke luajtur, Shemsedini gjeti një minë nga të Luftës dhe aksidentalisht, u vra. Trupi iu copëtua. Koka nuk iu gjet. Mineja ia mblodhi vetë tërë pjesët e trupit të tij dhe i groposi diku në periferi të kampit. Ajo kërkon të gjenden eshtrat e të vëllait dhe t’i mundësohet që të bëjë një varr të denjë për atë fëmijë që vuajti padrejtësisht në internim e që jeta iu pre që në fëmijëri!
Dëshmia e Mine Mulosmanaj, motra e Shemsedinit

 

 

Zonja Mine, përshëndetje. Ju falënderojmë që erdhët të na flisni për tragjedinë që goditi familjen tuaj kur ju ishit ende fëmijë.

Quhem Mine Çel Mulosmanaj (Balaj), e lindur në Bujan të Tropojës, në fisin e Binak Alisë. Baba quhej Gjetë, nëna Gju. Ata, tok me dy vëllezër të rritur, ikën të katërt.

Në cilin vit kanë ikur prindërit tuaj nga Shqipëria?

Më 1947-ën.

Çfarë ndodhi në vitin 1947, që prindërit tuaj morën atë vendim të vështirë?

Më vdiq një xhaxha në burg, bash vëllai i babës. Më vdiq edhe një kushëri në burg: në burg të Shkodrës e në burg të Durrësit. Kështu që kishim frikë për babën. E përgjonin çdokund, ku me e nxënë e ku me e nxënë ngushtë, që ta fusnin në burg. Bënte kujdes edhe kur kalonte në oborr. Unë isha fëmijë. Më thirri baba e më tha: “Ne duhet të ikim”.

I thashë: “Çfarë ikjeje”? Unë nuk e dija çfarë ishte “ikja”. Babai vazhdoi: “Do të ikim unë, nëna dhe të dy vëllezërit”. Bërtita: “Ku-ku! Ku me na lanë ne”?! e ia kam plasë së qarës.

Më tha: “Ti je 13 vjeçe, Elmija 11 dhe vëllai 9. Sonte ne do të ikim, po nesër mos kallëzoni në polici”! Babai më tha se po ta linte nënën me ne, atëherë do të na internonin, se nëna quhej si kryetare e familjes, kurse të vetëm, nuk do të na internonin, se fëmijët në moshë 13-vjeçare, nuk i merrnin në internim. Ata u bënë gati e të katërt i kam përcjellë vetë te dera.

Ata dolën, i përcollëm dhe shkuan. Ne shkuam e u ngujuam me motrën dhe vëllain e vogël, të mbledhur ashtu, si zogj pule. Të nesërmen nuk kallëzova gjë. Erdhën disa dhe e pyetën vëllain: “Ku është babai”? Ai vetëm çukiste një copë druri, që të nxirrte xixa: tak e tak…! “Ku është”? Ai nuk fliste hiç dhe vetëm më këqyrte mua.

Të nesërmen e asaj dite, shkuam në polici dhe u thashë: “Unë nuk e di ku i kam prindërit! Sot kur jam ngritur, nuk i kam gjetur. Nuk e di se ku janë. Unë kam mbetur me 2 të vegjël, një motër dhe një vëlla…! Nuk e di ku i kam prindërit”! Paf, i ra tavolinës. “Auuuu, – tha, – s’kanë ikur mbrëmë, por parmbrëmë”! Atëherë, unë ia ktheva: “Meqë kanë ikur parmbrëmë, pse nuk më kallëzove ti? Kanë ikur parmbrëmë? Po unë, kur jam çuar natën, i kam gjetur të ikur”! Këtë rrenë më pati thënë baba që t’ua thosha.
Më mbajtën aty nja dy orë, pastaj shkova në shtëpi. Pas tri javësh, erdhi policia dhe na morën e na dërguan për në Tropojë. Kur kemi shkuar në Tropojë, na kanë futur në burg ku kishte shumë tropojanë. Ka qenë Drane Jaku, një Xhavit prej Pacit, e plot. Në burg të Tropojës ndenja nja dy javë.

Erdhi e na mori një kushëri yni, nja një javë, pastaj prapë na morën në burg. Na mori policia dhe kemi ecur në këmbë, prej tokës së Tropojës deri në tokë të Kukësit. Vëllait i’u hapën këpucët. Në burg të Kukësit, kemi ndenjur tri javë. Që aty, na çuan në burg të Beratit.

Edhe aty nja dy javë, të gjithë në një dhomë. Mbas dy javësh na kanë çuar për Tepelenë, në Turhan. Atje erdhi koha që u bëra grua, 13 vjeçe. Bukë me sy s’kishim parë. Dhe kur na e jepnin atë racion, e hiqja që t’ua jepja motrës e vëllait. Kur vinte makina e bukës, ohooo…kallamboqin e ndaja: më të shumtën ia jepja vëllait, pastaj ndaja për motrën dhe për vete.

Pastaj na çuan në Tepelenë, te kazermat, atje poshtë. Tela me gjemba, na ruanin me policë. Buka ishte me krimba, me miza, gjellët kurrqysh…! Nuk e di se si kemi jetuar! Dilnim përditë…! Drane Jakut i vdiq djali dhe e ka pasë shtie në dhe.Njëherë, vëllai u sëmur gjashtë javë dhe natë e ditë bërtiste: “Oj, nana ime…”!

Unë i thosha: “Ja ku e ke nanën! Pse bërtet? Rri, se je sëmurë! Këtu e ke nanën, po të bën hyzmet”! S’e di si e kam çuar vetë në Gjirokastër, për ta kontrolluar dy herë. Se si e kam çuar, s’e di. Mora disa ilaçe, sa për tri ditë. Kemi ndenjur atje nja një muaj. U kthyem. Mezi na jepnin nga një copë bukë, ja, kaq. Mezi e kemi shtyrë.

Kur erdhi 28-29 nëntori, thirrën gjithë kryetarët e familjeve. Shkuan të gjithë me radhë. Erdhi radha e emrit tim. Shkova. Kur hyra brenda, më thanë: “Pse erdhe ti, bijë”?! “Erdha, se unë jam kryetare familjeje”. Thanë: “S’ka mundësi! Duhet të kesh ndonjë plak a plakë në kazermë”! U thashë: “Unë vetë jam kryetare e familjes”!

“Si? Po sa vjeçe je”?! “13 vjeçe”! “Si moj, je ti kryetare e familjes e, të kanë prurë në internim”?! “Po, kam me vete dhe një motër e një vëlla”. Atëherë bërtiti “uiiii…”, e vuri duart mbi kokë. “Paska pasur Parti a pushtet a organizatë që vjen e merr fëmijën në këtë moshë në internim”?! Atëherë thanë që do të na lëshonin.

Në cilin vit ju liruan?

Më vitin 1950.

Pra, ju, nga viti 1947 deri më 1950, 3 vjet, i bëtë internim në Tepelenë?!

Po! Ishte 28-29 nëntori që na erdhi lirimi. Por, pas kësaj, një muaj e disa ditë kemi pritur pa na ardhur asnjë makinë për në Tropojë. Hiç, hiç.

Dilte vëllai im. “Erdhi një makinë”! – thoshte, por hiç. Kur na liruan, ishim dhe më keq; më mirë të na mbanin në internim krejt. Dilte vëllai e thoshte: “Nuk po vjen asnjë makinë.” “Hë, – i thosha, – se tash do të vijnë”.

Vëllai donte të luante me shokë. “Mine, e kam lënë të dalim në qytet”, – më tha. Nuk e dija se çfarë bënin. Gjenin disa si kokrra, si poça dhe luanin me to. Kështu, edhe vëllai paska parë një, paska gërryer tokën…! Ishin dy shokë. Tjetrin e thirri nëna e vet për t’i dhënë bukë dhe mbeti vetëm ky duke gërryer, veç kur bëri bumja-buuum…!

U turra me vrap. Kur kam shkuar, s’kam parë gjë, veç ca tesha e kam britur…! S’di si kam vepruar. Kam shkulur flokët e më kanë kapur dy-tre përnjëherë. Shkova dhe në fustan i kam mbledhur ato copa që kishin mbetur prej tij. Hoqa një çarçaf dhe gjithë ato që kisha mbledhur në fustan, i vura në çarçaf.

Qysh i mblodha të gjitha, nuk e di! Ah! Edhe të më japin tërë dynjanë, nuk e di, më mbeti në dorë! Deri kur të vdes unë, kjo ngjarje ka për të ndenjur me mua.

Kur të vdes unë, amanet e kanë të gjithë të ma gjejnë e ta shtien në dhé me mua! Se nuk ma këqyr kush më, kurrkush nuk e këqyr më! Dëgjo, e kam shti në dhé. Kur e kam shti në dhé, kam vënë disa thupra kështu, thupra të këqija. Çarçafi u bë me gjak. S’e di, a janë përzier eshtrat? Koka i ishte hequr nga trupi…! A e ka gjetur kush kryet që iu hoq? Po kush i ka kërkuar ato?
Kur ndodhi shpërthimi, ju ishit brenda në kazermë dhe pasi dëgjuat një shpërthim, shkuat atje dhe kuptuat që ishte vëllai juaj? E vetme e mblodhët trupin e tij?!

Po, po. Kur shkova e pashë trupin, teshat aty…! Ia nisa vajit me britma e nisa t’i mbledh ato copa. Vetë i kam mbledhur copat në fustan e pastaj i kam vënë në çarçaf…i vura edhe ato thupra. S’e di a ka mbledhur edhe ndokush tjetër. Ka mbetur edhe një çorape e tij…!

A e mbani mend ku e varrosët trupin e vëllait tuaj?

Varrin atje mbas…!

Mbas kazermës?

Të shkoj tani nuk e di, por nuk ka qenë tamam prapa kazermës.

E hapët vetë varrin, apo ju ndihmuan? A patët ndonjë arkë-mort?

Jo, jo, e kanë hapur të tjerët, jo unë. Kush e ka hapur, s’e di. Arkë nuk kish. E kam vënë ashtu, me çarçaf. E hoqa nga krevati – një çarçaf të bardhë, vura ato copa aty, e mbështolla dhe e lëshova në varr. Pa arkivol, ashtu, me atë çarçaf. As dërrasë, as beton, as asnjë send, veç ato thupra, ashtu.

Më kanë vdekur dy vëllezër, më kanë vdekur dy djem motre, më kanë vdekur boll. Jam mërzitur e kam vajtuar për ta…! Këtë s’e harroj kurrë, se ka hyrë në dhé për shejtan. Të tjerët kanë hyrë me arkivol, me të gjitha, atë e ka shti e motra.

Ka qenë 29 dhjetor 1950, kur ndodhi kjo gjëmë?

Po!

Edhe sa kohë qëndruat atje në kazermë?

Pak.

Gjatë kësaj kohe, a i shkonit te varri?

Si nuk shkoja?! Bile, më kanë ardhur mendtë vonë, se të kisha këto mend si sot, do ta kisha ngritur e ta sillja në tokë të Tropojës, por s’ka pasur as leje e, unë kam qenë fëmijë. Një çadër t’ia kisha ngritur, se e mbuluam me një sixhade që ishte me gjak e me dhé.

Vetëm prej motrës që kisha, se unë prej atij vendi, kurrë nuk kisha dalë, se ka qenë tmerr i madh. Pas 1 muaji, ka ardhur makina me na marrë për në Tropojë. Rruga i binte rrotull e rrotull në Tepelenë, del edhe një herë ku duket varri prej atje.

Makina na çoi gjer në Has të Shkodrës e na lëshoi aty, katër familje. Çfarë të bënim ne atje? Na lanë aty, mos të harxhohej më makina. Ç’ka të bënim? Kalon kunati i motrës sime me një polic, po nga ai fshat i motrës, se atëherë merreshin ushqimet me kalë në Shkodër, dhe pyeti: “Çka jeni ju këtu”?!

“Ne jemi të internuar e na kanë lëshuar këtu”, i thamë ne. “Por çka do bëni”?! “Çfarë të bëjmë tani, veç të rrimë këtu”. Kur më thotë: “Ndalu, se jam kunati i motrës sate”. Na mori prej tokës së Shkodrës, mua e motrën time, e në tokë të Lushnjës, ku ishte motra tjetër.

Si kemi ecur me këmbët tona? Qysh kemi mujtë? Tash i them vetes, qysh ke mujtë me ecë prej Shkodrës, të pangrënë, të papirë, e lamë vëllain…?! Qysh ke mujtë? Motrën e kisha me kalë para. Ec e ec…! Kur kemi mbërritë te motra, na dhimbnin këmbët nga të ecurit. Qysh erdhëm ne prej internimit, me morra, me zhul, ishim bërë si ne.

Na lau, na pastroi, na këqyri e foli me burrin e vet. Na tregoi se babai kishte ardhë me na marrë, por s’na kishte gjetur. Babai vdiq në Jugosllavi. Kur shkuam atje, edhe nëna kishte 14 ditë që kishte vdekur. Shkuam. Unë nuk ua çova dot vëllain, por edhe unë, babë e nënë nuk i gjeta!

Domethënë, babai juaj, që në ’47-n, pasi i kishte strehuar vëllezërit e rritur, ishte kthyer sërish që t’ju merrte edhe ju?

Po, e nuk na gjeti aty. Kishte ardhur vetë i dytë, mirëpo e kishin gjetur shtëpinë të djegur. Policia bënte rojë natën…! Ne ndenjëm tri ditë te motra dhe u kthyem në shtëpi, se kishim frikë mos na vinte babai.
Në mbrëmje vinte policia dhe ruante gjithë natën. Erdhi daja të na merrte. Kërkoi bukë të hante, por kisha vetëm një copë djathë e një copë bukë. Pyeti: “A ke tjetër”? “Jo, kam një dorë kripë”. Atëherë, daja shkoi drejt e në qytet, në Bajram Curri, dhe u kërkoi organeve të pushtetit të na merrte ai, se ne nuk kishim për të ngrënë e kështu na mori përsipër me firmë. Babai donte të na merrte, por daja nuk pranoi, se e fusnin në burg atë dhe familjen e tij. Mbetëm te dajat dhe këtej u martuam.

As letër, asnjë send prej tyre: as dinim si janë, asgjë, vetëm në tokë të Zotit. Gjer 46 vjeçe, s’e kam ditur a kam gjallë vëlla, a kam motër! Kur mora vesh se më kishte vdekur babai në Jugosllavi, më ra të fikët. Këto janë vuajtjet e kësaj plake 85 vjeçe sot!

Mbas ’90-ës, kur komunizmi ra, a u lidhët me pjesën tjetër të familjes që ishte jashtë?

Po. Ne shkuam e hymë tek ambasada amerikane. Isha me dy motrat, edhe një kushëriri ynë…! Na pyetën një shqiptare dhe një amerikane. Sytë vetë pikonin lot, kur kallëzova tak e tak se kam qenë në internim 13 vjeçe, se më quajtën kryetare familjeje. Kur shkova në Amerikë, babai vdiq në Jugosllavi.

Na shkruan një letër dhe na e çuan ata garancinë që shkuam ne. Po kur shkuam aty, edhe nëna kishte 14 ditë që kishte vdekur. Gjetëm dy vëllezërit të martuar: njëri s’kishte fëmijë, veç gruan, tjetri kishte 3 çika e 2 djem, 5 fëmijë.

Shkuam. Unë nuk ua çova dot vëllain, por edhe unë, babë e nënë nuk i gjeta! Veç t’ua bëja atyre qejfin, sikur u kënaqa…! U kënaqa se vëllezërit i pamë, fëmijët e vëllait i pamë, por as vëllain nuk e çova, as nënë e babë nuk i gjeta. Ishte mërzi e madhe! U takuam, ndenjëm, kam shkuar që në ’92-in.

Kur keni shkuar në Tepelenë pas viteve ’90-të?

Sa vjet bëri? Unë thosha gjithnjë se nuk dua të vdes pa shkuar ku më ka vdekur vëllai…! Kur thotë Simon Mirakaj se do të bashkohemi e do të shkojmë si Shoqatë, edhe atë ditë kam shkuar si shoqatë. Kur shkova aty, hipa në atë rrugë me dy motrat e atë vëlla.
E këqyra krejt atë vend e i thashë djalit: “hajde këtu” dhe i tregova vendin ku kam fjetur me vëllain tim. “Si jam, mjerë unë këtu! Këtu ku më ka vdekur vëllai, o vdiqa, bre!” Shkuam dhe…! “Ja, aty pas, – u thashë – aty më është vrarë vëllai”! Atje te varri s’shkova dot, po unë e mbaj mend.

Vërtet e mbaje mend varrin?

Po, si vend e mbaj mend! Të shkoj atje, e them: Këtu është! Sa ndenjëm aty, i pashë krejt ato vende: ku u vra vëllai e ku kam qenë vetë e kur më liruan…! U sëmur gjashtë javë e ditë, thuajse pa ngrënë bukë.

Racionin e tij e vija në tjegulla, e thaja dhe e fusja në një trastë të bardhë që, kur ta merrte uria, t’i jepja bukë sa të donte. I kam zier rrush dushku…! Nuk e di si kam jetuar! Kurrkush s’më ka çuar as një lek!

Si e sillni ndër mend vëllain tuaj?

Pas kaq vitesh, e mbaj mend vëllain tim, por nuk mund ta përshkruaj. Nuk kishte fotografi. Ishte i bardhë, e mbaj mend, ka qenë i bardhë e i ka pasur ata flokë të bardhë. A e di si? I ka pasur sytë bojë qielli. Ishte i bardhë dhe ka qenë jo bash i vockël, por i shëndoshë. Ka qenë shumë i mirë, shumë i mençur, aq, se e mbaj mend. Fotografi s’kishte. Ah, të kishte qenë ndonjë fotograf me e marrë, me e pasë një fotografi!

Gjatë kohës që qëndruat atje, pasi ju liruan, më tregove që ai priste makinën…?

Po, po. Priste makinën që të vinte të na merrte, se ishim liruar 800 veta. Ishin bërë aty që në krye 9 mijë veta dhe jemi liruar 800 veta. Ai priste përditë makinën: Kur do të vijë, kur do të vijë? Sa makina ishin të rretheve të tjera. Më thoshte: “Mine, s’erdhi makina?” I thosha: “Do të vijë edhe ajo.” Atë ditë që u vra ishte e enjte, të nesërmen e xhuma, të shtunën erdhi makina. Më kanë kapur e mezi më kanë hipur në makinë…!
Pra, dy ditë mbasi vdiq vëllai erdhi makina?

Dy ditë, dy ditë pasi vdiq ai. Të enjten ka vdekur, e xhuma, të shtunën erdhi makina…! As nuk e di, as e mendoj tash. Më merr gjumi e më del, pasha shpirtin e tij, çdo ditë e çdo natë, sa jam bërë kaq vite sa jam, në qoftë se kam rënë një natë, vetëm një natë pa më rënë ndër mend, a vetëm një ditë.

As ka gjë që ma heq prej mendjes si e kam lënë atje përtokë, se ky ka vdekur për gazep. Gjithkush ka pasur dikë, kurse ky nënë e motër, babë e vëlla më ka pasur mua. Unë kam qenë me të. Unë i kam bërë për të ngrënë. Unë e kam shti në dhé…!

U sëmur gjashtë javë e ditë, thuajse pa ngrënë bukë. Racionin e tij e vija në tjegulla, e thaja dhe e fusja në një trastë të bardhë që, kur ta merrte uria, t’i jepja bukë sa të donte. I kam zier rrush dushku.

Unë vetë s’e haja, por që të mos i hiqte barku, i shtoja një lugë sheqer…! Nuk e di si kam jetuar. Kurrkush s’më ka çuar një lek! Bile, njëherë, këqyr unë, kishin rënë plot lekë aty, në tokë. S’e dija kujt i ranë, por i ranë dikujt. I mora edhe i futa në xhep. Po ecja për të shkuar te kazerma, kur aty ishte njëra duke bërtitur.

“Çfarë ke, Sab, që po bërtet, – i thashë. – çfarë ke”?! “Më ka humbur diçka”. “Çfarë të ka humbur”? “Më kanë humbur një mijë lekë”. I kisha mbështjellë me një pëlhurë të bardhë me shirita. I thashë: “I kam gjetur unë.” E ia dhashë. Kjo është jeta ime…!

Na quajtën reaksionarë. Fëmijëve s’ua dhanë shkollën. Çika ime doli me të tëra dhjeta në shkollë në krejt katundin e s’ia dhanë shkollën: “Je e persekutuar”! Kam 6 fëmijë. Të gjithë vetëm me shkollë të mesme. Nuk i lanë të shkonin në tjetër shkollë, veç të shkonin në shkollë nate.

Tash më vdiq edhe vëllai, e dy djemtë e vëllait. Vdiqën edhe dy djemtë e motrave…! Vëllai i parë që vdiq, ishte më i vogël se tjetri. Kur kam shkuar atje dhe e kam parë, i kam thënë: “Po ku je, more vëlla! Me një datë, me një ditë e me një orë ke vdekur edhe ti, si vëllai në Tepelenë!” S’e di kurrkush, veç unë, se atë orë e atë datë s’e harroj!
E kështu, pas disa kohësh vdiq vëllai atje, vdiqën edhe dy motrat këtu, vdiqën dy djemtë e vëllait atje, vdiq edhe tjetri djalë…! Vdiqën e shkuan edhe ata që kam pasur atje. Kjo është jeta ime”! Memorie.al

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Video/Ja momenti kur avokati Sokol Mëngjesi dhunohet para derës së kopshtit

Publikohet video nga momenti kur avokati Sokol Mëngjesi dhunohet para derës së kopshtit. Siç shihet…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Nëna dhe babai kërkojnë djalin e humbur prej 4 muajsh, i riu i surprizon live: Jam mirë

Mes lotësh dy prindër nga Elbasani, Bujar dhe Fiqerete Çepa mbërritën pasditen e kësaj të…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

FOTO-EMRAT/ Identifikohen 4 autorët që dhunuan avokatin Sokol Mëngjesi

Policia e Tiranës ka identifikuar katër autorët që dhunuan avokatin Sokol Mëngjesin, mëngjesin e kësaj…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Vlorë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 3”Vihet në pranga një 27-vjeçar, të cilit iu gjet në automjet, një sasi lënde narkotike e ndarë në rreth 530 doza

Vlorë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 3”, goditet një rast i shitjes së lëndëve narkotike,…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Vlorë, Vodhën një sasi karburanti nga kamioni i një firme ndërtimi, identifikohen dhe arrestohen 2 shtetas

Vlorë, Vodhën një sasi karburanti nga kamioni i një firme ndërtimi, identifikohen dhe arrestohen 2…

LEXO ME SHUME