Zëvendëskryetari i LSI-së Luan Rama me tone të forta i bëri thirrje klasës politike të ulet për dialog, për kapërcimin e krizës në sajë të plotësimit të kushteve të Bundstagut.
Teksa u ndal tek vendimi i BE për mos çeljen e negociatave, Luan Rama tha se në raportin për Shqipërinë thuhej se vendi është në krizë të rëndë politike.
Ai tha se deri më tani nuk është bërë asgjë nga politika për kapërcimin e krizës, aq më tepër sipas tij nga kryeministri Edi Rama.
“Merkel bëri përpjekje për të pranuar parimisht çeljen e negociatave. “Të çelen negociatat pasi të plotësohen kushtet”.
Pra Shqipëria sipas raportit është në krizë të rëndë politike. Qeveria e para dhe më parë kryeministri si përgjegjës i integrimit dhe klasa politike, siç thotë rezoluta, të veprojnë menjëherë përmes dialogut politik. Çfarë presim? Apo të dominuar prej interesave të tjera që s’kanë të bëjnë me interesin e vendit, sabotojnë dhe provokojnë për të mos shkuar tek dialogu politik.
Mbrëmë kemi ndjekur prezantimin që bëri e nominuara për ambasadore e SHBA në Tiranë, Juri Kim, e cila u shpreh se një nga prioritetet e saj do të jetë nxitja që udhëheqësit e vendit të zgjidhin ngërçin. Janë qëndrime pro interesit të shqiptarëve dhe sjellin tek ne mesazhin që klasa politike duhet të reflektojë menjëherë pa humbur asnjë sekondë kohë për t’u ulur në dialog politik. Që të përmbushen kushtet që ka dhënë rezoluta përbashkët e Bundestagut”, tha Luan Rama.
Zëvendëskryetari i LSI-së theksoi më tej se çdo gjë jashtë kësaj platforme është në dëm të interesave europiane të Shqipërisë. Ai bëri thirrje për përgjegjshmëri dhe dialog politik për të siguruar rrugën europiane të Shqipërisë.
“Jashtë kësaj platforme është në dëm të interesave europiane të Shqipërisë. Çdo lëvizje tjetër diplomatike e dukshme ose jo që nuk është në përputhje me këtë që thotë Bundestagu apo SHBA është në dëm të interesave europiane të Shqipërisë.
Ajo që po ndodh prej 2 javësh me këtë mungesë përgjegjshmërie është një mesazh i qartë se maxhoranca nuk ka vullnet, nuk ka angazhim dhe nuk ndiejnë përgjegjësi të paktën për të bërë tani minumimin që është reflektimi dhe nisja e procesit të dialogut politik, si hapi i parë i shfaqjes me përgjegjshmëri i përmbushjes së detyrimeve që ka Shqipëria.
Për LSI-në integrimi europian i vendit është një prioritet kombëtar i patjetërsueshëm dhe i panegociueshëm dhe duhet punuar prej të gjithëve për ta përmbushur. Çdo qasje tjetër në dëm të interesave europiane të vendit.
Koha është sot, do duhej të ishte bërë dje. kambanë alarmi për t’u ulur në tryezën e dialogut politik”, deklaroi Luan Rama.