Të tjera detaje zbulohen nga mbledhja mes presidenti Ilir Meta dhe kreut të PD-së Lulzim Basha, si dhe kryetarët e partive të tjera jashtë Parlamentit.Mësohet se opozita e bashkuar i ka kërkuar kreut të shtetit Meta zgjedhje të parakohshme. Gjykata Kushtetuese dhe Reforma Zgjedhore ishin dy nga çështjet qendrore ku u përqendrua biseda mes Metëve dhe krerëve të opozitës. Kreu i shtetit ndau shqetësimin lidhur me zhvillimet e fundit me Gjykatën Kushtetuese dhe kërkoi reagim nga faktori ndërkombëtar. Gjithashtu, presidenti kërkoi angazhim të opozitës për Reformën Zgjedhore.
Po ashtu presidenti Meta e la të hapur mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit nëse vijohet me të njëjtin skenar për Gjykatën Kushtetuese. Kreu i shetit theksoi edhe një herë kushtet e Bundestagut për hapjen e negociatave, ndër të cilat është edhe ringritja e Gjykatës Kushtetuese.
Të pranishëm në krah të kryeopozitarit Basha ishin aleatët, Shehi, Dule, Madhi, Ndoka, Duka, ndërkohë që mungonte kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, ndërsa kjo forcë politike u përfaqësua nga nënkryetari Vasili. Në letrën e dërguar tre ditë më parë për Bashën dhe partitë e tjera jashtë Parlamentit, Meta shprehej: “Nisur nga situata dramatike, në të cilën ndodhet vendi dhe pasojat e saj të papranueshme, ju ftoj juve dhe të gjithë kryetarët e Partive të Opozitës së Bashkuar në një takim, në një kohë sa më të shpejt”.Në një prononcim për mediat pas takimit kryeopozitari Basha theksoi edhe njëherë nevojën e vendit për zgjedhje të parakohshme. /E.SH/
