Si të qëroni një xhenxhefil Nëse zhardhoku mirëbërës ju duket i çuditshëm ose nuk dini si ta qëroni ka zgjidhje. Ju nevojitet vetëm një lugë dhe mund ta qëroni shpejt e shpejt të gjithin njëlloj sikur qëroni një patate apo karrotë.
Si të qëroni një hudhër Nuk është nevoja që të rrini me minuta të tëra për të qëruar hudhrat. Merrni një kokë hudhër dhe shtypeni me dorë. Thelpinjtë do të ndahen nga njëri tjetri. Futini në një enë qelqi, mbylleni kapakun dhe tundeni enën fort për pak minuta. Kur ta hapni enën do të shikoni që thelpinjtë janë qëruar nga goditjet. Çdo cipë e mbetur është krejt e lehtë për t’u hequr.
Veza e zier që mezi qërohet Të njëjtën metodë mund të përdorni edhe për vezën që është zier më shumë seç duhet dhe mezi qërohet. Futini vezët në një enë qelqi. Hidhni fare pak ujë dhe mbylleni kapakun. Qërimi i vezës do të jetë shumë i lehtë dhe i shpejtë pasi ta keni tundur enën.
Si të përfitoni më shumë lëng nga agrumet Nëse dëshironi të nxirrni më shumë lëng nga limoni i verdhë apo ai jeshil, mjafton ta fusni në mikrovalë për 15 sekonda. Nxirrini, pritini dhe më pas shtrydhini. Lëngun mund ta ruani për më vonë duke e hedhur në mbajtësen e akullit dhe futur në ngrirje. Kubikët e lëngut të akullt të limonit mund t’i përdorni për limonata, çajra, supa ose në përgatitjen e lëngjeve të plota me bazë perimesh ose frutash.
Si të prisni e qëroni frutat Prisni pjesën fundore dhe të sipërme të portokallit dhe më pas priteni për së gjati. Në këtë mënyrë fruti do të hapet me lehtësi në një shtresë të gjatë prej së cilës mund të merrni tulin e frutit shumë më shpejt se mënyra tradicionale.Mangoja është një frut i ëmbël dhe me shumë vlera, por shkakton kokëçarje në hapje për shkak të bërthamës së madhe dhe tulit të rrëshqitshëm. Prijeni mangon në feta duke kaluar thikën përreth bërthamës. Pasi keni prerë disa feta nga fruti, merrni një gotë dhe kalojeni secilën fetë në buzët e gotës. Në këtë mënyrë lëkura dhe tuli do të ndahen me lehtësi. Luleshtrydhet mund të shkëputen nga lulkat në majë të tyre duke përdorur një pipëz lëngjesh. Kjo e fundit depërton luleshtrydhen në pjesën fundore dhe lulkat shkëputen lehtë pa pasur nevojë të shkulen. Në këtë mënyrë, luleshtrydhet mund të mbushen edhe me produkte të tjera, si arrat ose bajamet
Si të përgatisni vetë krem ëmbëlsirash Merrni një kavanoz qelqi. Hidhni një gotë krem pana ose ajkë a kajmak qumështi. Shtoni një lugë çaji me vanilje pluhur dhe një lugë gjelle me sheqer pluhur për ëmbëlsira. Mbylleni kapakun dhe tundeni për disa minuta. Kremin e përfituar mund ta përdorni në shumë prej ëmbëlsirave tuaja të preferuara dhe të gjithë do t’ju njohin si një talent në kuzhinë./AgroWeb.org