Ambasada e Shqipërisë në Bullgari ka njoftuar shtetasit shqiptarë se të gjithë aplikimet për shërbime konsullore në Ambasadën e RSH, Sofje, duhet të bëhen vetëm online përmes platformës së Shërbimit Konsullor Online (SHKO).
“Në kuadër të dixhitalizimit dhe të përmirësimit të shërbimeve për shtetasit dhe në bazë të Urdhrit të Kryeministrit, “Për marrjen e masave dhe rregullimin e dispozitave ligjore për aplikimin e shërbimeve vetëm on-line nga data 1.1.2020”, të gjithë aplikimet për shërbime konsullore në Ambasadën e RSH, Sofje, duhet të bëhen vetëm on-line përmes platformës së Shërbimit Konsullor Online (SHKO)”, njoftoi sot Ambasada e Shqipërisë në Bullgari.
Ambasada ka shtuar se, për të aplikuar siguroni paraprakisht dokument identiteti ku të jetë shënuar numri juaj unik (NID), adresë emaili, me të cilën do të mbahet korrespondenca me ne; krijoni një llogari në portalin e-albania për të pasur mundësi të gjurmoni ecurinë e shqyrtimit të shërbimit të kërkuar; dokumentacionin tuaj ta keni të kopjuar e ruajtur në format dokumenti (pdf, jpg, png, etj.)
Ambasada gjithashtu ka shtuar se, “për të aplikuar për shërbimet konsullore duhet që në faqen e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të klikoni në linkun (hyrja në SHKO):https://punetejashtme.gov.al/sherbimet-konsullore-online/
Ose në Portalin Qeveritar e-Albania në linkun https://e-albania.al/Default.aspx (hyrja në portal) apo https://e-albania.al/eAlbaniaServices/Packages.aspx?lvl=2&path_code=29&cat_id=29 (hyrja në SHKO)”.
Gjithashtu ambasada ka theksuar se, “për shërbimet konsullore që do të aplikoni, dokumentacioni mbështetës i nevojshëm nga zyra të administratës shqiptare do të sigurohet nga ambasada. Por për këtë duhet të autorizoni më parë nëpunësin konsullor”.
“Nuk keni nevojë të paraqiteni në ambasadë pa kryer veprimet e mësipërme. Përmes platformës SHKO do të njoftoheni me e-mail për ecurinë e procedurës dhe kur do të paraqiteni, nëse do të jetë e domosdoshme. Paraqitja fizike në ambasadë është e nevojshme vetëm për veprimet për të cilat ka detyrime ligjore”, ka vijuar ambasada.
