Strukturat e Administratës Doganore kanë sekuestruar një sasi prej 892 mijë paketa cigare në Pikën e kalimit Kufitar të Hanit të Hotit.
Pas dyshimeve mbi të dhënat e dokumentacionit shoqërues të një ngarkese, strukturat doganore ushtruan kontroll në mjetin e dyshuar, ku rezultoi një ngarkesë prej 892 mijë paketa cigare të markës “President Slims”.
E gjithë ngarkesa me cigare ishte e papajisur me pulle fiskale të Shqipërisë apo të ndonjë vendi tjetër.
Nëse ky mall do të hidhej në treg, vlera e detyrimit doganor që duhej të paguhej kap shifrën e 140 milion lekë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, po kryhen veprimet e mëtejshme hetimore.
Ky nuk është rasti i parë i kohëve të fundit që kapen mallra kontrabandë, sidomos për mallrat e akcizës.
