Pandemia e koronavirusit ka go.ditur rëndë shumë sektorë të ekonomisë dhe një prej tyre është edhe turizmi. Greqia, një nga destinacionet kryesore për shumë evropianë, për të kaluar pushimet e verës, është duke menduar hapjen e vendit dhe pritjen e turistëve të huaj brenda muajit korrik.
Zyrtarë të lartë në shtetin helen shpjegojnë se destinacionet më të frekuentuara pritet të hapin dyert, menjëherë, pasi masat kundër pandemisë të lehtësohen. Megjithatë vizitorëve të huaj mund t’iu kërkohet një certifikatë imuniteti apo pasaportë shëndetësore përpara se të lejohen të hyjnë në vend.
Ministri Giorgos Gerapetritis, gjatë një interviste për mediat vendase u shpreh se: ‘Ne jemi një vend që do të hapim dyert për të gjithë, jo vetëm sepse jemi destinacioni më i mirë turistik, por sepse edhe destinacionet e tjera po hasin vështirësi”
Greqia ia ka dalë më së miri, deri në këto momente, të menaxhojë situatën e krijuar nga virusi i ri vdekjeprurës. Vendi raporton 2517 persona të infektuar me Covid-19, ndërkohë që në shumë ishuj koronavirusi nuk ka mbërritur. “Negociatat janë duke vijuar. Turistët që do të duan të vizitojnë Greqinë duhet të jenë të pajisur me një çertifikatë. Ndërsa ne do të bëjmë të pamundurën për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit”, shtoi Gerapetritis.