Mijëra hektarë tokë me pyje po digjen në vend, aq sa flakët janë afruar me banesat dhe kanë vënë në rrezik jetën e banorëve. Situata me zjarrin në malin e Shëngjinit deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës ka qenë shumë kritike. Dora e njeriut shkaktoi zjarrin që shpërtheu në malin e Shëngjinit. Flakët shpërthyen në një zonë të vështirë të terrenit malor ku ndërhyrja ishte tepër e vështirë. Jo vetëm kaq, edhe më të vështirë, punën zjarrfikësve dhe ushtarëve ia bëri dhe shpërthimi i predhave si dhe rrëshqitjet e masivëve shkëmborë.
Prefekti i qarkut të Lezhës, Gjok Jaku, në një reagim për mediet ka deklaruar se situata e zjarreve është vënë në kontroll, teksa ka sqaruar se në asnjë moment nuk është vënë në rrezik jeta e banorëve, as banesat apo hotelet. Ai tha se të vetmit të rrezikuar kanë qenë efektivët e zjarrfikësve dhe të Forcave të Armatosura por që fatmirësisht ia dolën që kjo situatë të mbyllej pa pasoja të rënda.
”Shiu i rënë mbrëmë rreth orës 23:00 qe një dhuratë për ne, se terreni na vuri në sporvë të madhe. Situata është e menaxhueshme, nuk kemi vatra zjarri. Kemi prezencë të Ushtrisë. 4 zjarrfikësi në gatishmëri. Në asnjë moment nuk është vënë në rrezik as jeta e banorëve, as banesat,m as hotele. Ka pasur momente të vështira për efektivët zjarrfikëse dhe të ushtrive për shkak të shpërthimeve të zjarrit apo rënia e gurëve, që na vuri në vështirësi për jetën e efektivëve. Situata jo e qetë për shkak të tymi dhe erërave të forta”.
Në pranga
Pak minuta më pas policia njoftoi se kishte arrestuar dy persona si autorë të zjarrvënies ndërsa për njërin kishte nisur procedim penal. Zjarri kishyte nisur nga Lugu i Lemes për tu përhapur më pas në një sipërfaqe të madhe Në pranga ranë një 34-vjeçar nga Ishull Shëngjin dhe një 24-vjeçar nga Shëngjini.
Specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, në vijim të punës hetimore për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të çdo personi për zjarrvënie të qëllimshme apo edhe nga pakujdesia që shkaktojnë dëme, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit M.I 34 vjeç, banues në Ishull Shëngjin dhe A.U 24-vjeç, banues në Shëngjin. Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, rreth orës 21:45 datë 22 gusht, në Malin e Shëngjinit tek “Lugu i Lemes”, dyshohet që i kanë vënë zjarrin malit me qëllim hapjen e kullotave për bagëtitë dhe prerjen e lëndëve drusore për shitje, zjarr i cili ka marrë përmasa duke djegur disa hektarë bimësi e pisha si dhe rrezikuar banesa e jetë njerëzish”.
Të arrestuarit dënohen për veprat penale, Shkatërrim prone me zjarr kryer në bashkëpunim’ parashikuar nga neni 151-25 i Kodit Penal. Do të proçedohet penalisht edhe ndaj shtetasit K.M. banues në Tresh-Lezhë, sepse dyshohet që i ka vënë zjarrin një sipërfaqe toke rreth 500 m2 ku nga zjarri është djegur edhe rrethimi me shkurre i stanit të bagëtive të tij. Materialet procedurale hetimore në ngarkim të shtetasve lartpërmendur, u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës Parë Lezhë.