Bashkë me angazhimin e mbi 2400 punonjësve të Policisë dhe të shërbimeve të tjera në terren, sot drejtues e nëpunës të Ministrisë së Brendshme kontribuuan duke dhënë gjak për personat e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Një ndër pasojat më të rënda të tërmetit ishte numri i lartë i të plagosurve, që kanë humbur mjaft gjak, shumica e të cilëve janë shtruar në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Për të treguar solidaritet me të dëmtuarit, drejtues e nëpunës së aparatit të Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të varësisë, u organizuan në mënyrë vullnetare, për të dhuruar gjak pranë bankës së gjakut në Spitalin e Traumës. Sot, për çdo qytetar shqiptar, është detyrim të shpreh solidaritet me familjet e goditura rëndë nga tërmeti. Në kohën kur në ndihmë të të dëmtuarve kanë shprehur solidaritet shumë shtete të huaja, angazhimi qytetar përbën një detyrim për gjithsecilin, pasi jo vetëm lehtëson dhimbjen e atyre që sot kanë më shumë nevojë, por dëshmon edhe vlerat tona si komb.

