Dua Lipa fiton betejën ligjore kundër tregtimit të produkteve false në emrin e saj, ja sa milionë paund ka fituar këngëtarja shqiptare
Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa, ka fituar një betejë ligjore kundër një personi me bazë në Hong Kong, i cili tregtonte produkte të paautorizuara duke përdorur emrin e saj. Pavarësisht pasurisë së vlerësuar në rreth 150 milionë paund, artistja ka treguar se nuk lejon askënd të përfitojë në mënyrë të paligjshme nga identiteti dhe imazhi i saj.
Çështja kishte të bënte me shitjen në internet të veshjeve, çantave prej kanavace dhe aksesorëve për kokën, të cilat reklamoheshin duke përdorur emrin e këngëtares pa autorizimin e saj.
Dua Lipa iu drejtua Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO), e cila vendosi në favor të saj. Organizata arriti në përfundimin se domeni “dualipa-asiastore.com” ishte regjistruar dhe përdorej në keqbesim, duke urdhëruar transferimin e tij te kompania e artistes.
Ndërkohë, të ardhurat e këngëtares vijojnë të jenë marramendëse. Sipas të dhënave të publikuara nga “Daily Mail”, Dua Lipa ka përfituar 23.4 milionë paund nga kompania e saj mediatike Radical22 Ltd, të ardhura që vijnë nga muzika, të drejtat e autorit, koncertet dhe shitjet e produkteve promocionale.
Kompania, e themeluar në vitin 2014 së bashku me babanë dhe menaxherin e saj, Dukagjin Lipën, vlerësohet në 73 milionë paund. Ndërsa kompania tjetër, Radical22 Live, që administron financat e turneve, regjistroi një fitim neto prej 6.2 milionë paundësh në vitin 2025.
Sukses të madh financiar ka shënuar edhe turneu botëror “Radical Optimism”, i cili përfshiu 81 koncerte dhe gjeneroi 162 milionë paund vetëm gjatë vitit të kaluar.
Nga suksesi profesional te jeta private
Përveç arritjeve në muzikë, këngëtarja po shijon edhe një kapitull të ri në jetën personale me aktorin Callum Turner. Çifti organizoi një dasmë madhështore në Itali, me një kosto të raportuar prej 1.5 milionë paundësh, pasi ishte martuar më herët në një ceremoni private në Bashkinë e Marylebone, në muajin maj.
Në mesin e të ftuarve ishin emra të njohur të muzikës dhe kinematografisë, mes tyre Charli XCX, Joe Alwyn, Mark Ronson dhe Donatella Versace.
Në një intervistë për “Vogue Italia”, Dua Lipa e përshkroi ditën e dasmës si magjike, duke treguar se së bashku me Turner kishin vendosur të shijonin çdo moment dhe të mos e humbnin njëri-tjetrin nga sytë.
Këngëtarja foli edhe për ekuilibrin mes karrierës dhe jetës private, duke theksuar se ambicia e saj profesionale mbetet e pandryshuar, por ndihet me fat që ka pranë një partner që e kupton dhe e mbështet.
Martesa pritet të ndikojë edhe në krijimtarinë e saj të ardhshme muzikore. E njohur për këngët e frymëzuara nga përjetimet dhe zhgënjimet në dashuri, Dua Lipa ka pranuar se deri më tani e ka pasur më të lehtë të shkruajë për thyerjen e zemrës.
Tashmë, artistja dëshiron të eksplorojë një tjetër dimension të ndjenjave njerëzore: dashurinë e vërtetë, kompleksitetin e marrëdhënieve dhe momentet e vogla që i japin kuptim jetës në çift.
