Austria ka bllokuar në kufi një tren pasagjerësh që ishte nisur ditën e sotme nga Venecia në Itali.
Lajmin e ka bërë me dije ministria e Brendshme duke njoftuar se treni është ndaluar në kufi pas dyshimeve se dy persona në bord janë të infektuar me COVID-19.
Njoftimi palës autriake i është dhënë nga autoriteti hekurudhor italian, pas informacioneve se dy persona në bord kishin shfaqur shenja gripi. Aktuaisht treni po mbahet në pikën e kalimit Brenner në tokën italiane dhe është e paqartë nëse do të lejohet të vazhdojë rrugën, raporton newsbomb.al.
Deri më tani në Itali janë konfirmuar 130 raste me koronavirus, 3 persona kanë humbur jetën dhe 25 po mbahen në trajtim intensiv. mbi 50 mijë banorë janë vendosur në karantinë, kryesisht në veri të Italisë, Lombardi.
