Categories Kuriozitete

E ndërtuar për tu rrëzuar: Historia e pathënë rreth kullës Eiffel

Ajo është zonja e vërtetë e Parisit. Më e famshme se Louvre dhe Notre Dame, Tour Eiffel u inaugurua në 31 mars 1889. Ka një histori shumë të gjatë, mbi të cilën ndoshta ende nuk janë thënë të gjitha.

Në kohën e ndërtimit, Kulla e Gustav Eiffelit ndeshi në kundërshtimin e shumë personave – intelektualë e politikanë – që e quanin të tmerrshme. Një monument që madje, sipas kontratës fillestare, do të duhej të çmontohej njëzetë vite pas ekspozitës universale të vitit 1889, që u mbajt në Paris, me rastin e njëqind vjetorit të Revolucionit Francez. Ideja e realizimit të një kulle metali për të kujtuar Republikën franceze është e Gustave Eiffelit. Inxhinier dhe vizionar, ishte angazhuar në ndërtimin e vështirë të urave dhe hekurudhave të varura, gjithmonë prej hekuri. Pika e fortë e tij ishin studimet e metalit. Falë matematikës, mendonte se mundte ta përkulte hekurin, sipas dëshirës. Por për Tour Eiffel, inxhinieri duhet të krijonte sisteme të reja ndërtimi. Një sfidë shumë më e rëndësishme, se sa ajo që ka kapërcyer vetëm pak vite më herët, duke ndërtuar Statujën e Lirisë në Nju Jork.

Një dëshmitar i kohës shkruan: “Veprat e mëdha të lashtësisë, piramidat, për shembull, në mendjen tonë janë të shoqëruara me një turmë të madhe burrash që punojnë, të cilët ulnin leva dhe tërhiqnin me litarë gjigandë. Piramida jonë moderne po ngrihej falë fuqisë së llogaritjeve, prej të cilave krahu i punës reduktohej. Shpesh herë, mjegulla e vjeshtës fshihte pjesët e sipërme e megjithatë mund të shiheshin zjarret e saldimeve. Punëtorët e kullës nuk shiheshin asnjëherë. Dukej sikur po ngrihej e po rritej vetë, vepër e një magjistari”. Tour Eiffel vazhdon të ndryshojë përditë, jo vetëm prej punëve periodike të mirëmbajtjes, por edhe për zgjedhje stilistike. Për shembull në vitin 1930, u hoqën disa harqe vetëm për një arsye estetike, dhe u hodhën.

Ashensorët, në të kundërt, ndjekin ende projektin origjinal. Ishin një tjetër sfidë për t’u fituar. Eiffeli nuk donte t’i vendoste në qendër të këmbëve për të mos prishur efektin elegant të bazës së kullës. Mes pjesëve që pësojnë ndryshime është edhe një pjesë e shkallës helikoidale, e cila të shpinte nga niveli i dytë në të tretin: u shkëput në 1980, në kuadrin e një projekti për lehtësimin e monumentit. Shkalla origjinale e 1889 u projektua në 24 pjesë me gjatësi të ndryshme. Një prej tyre mbetet në brendësi të Kullës Eiffel, tre u janë dhuruar muzeve francezë, të tjerat janë nxjerrë në ankand në vitin 1983 dhe do të përfundonin përreth botës, nga Japonia në Amerikë, në Statujën e Lirisë në Nju Jork dhe madje edhe në Disneyland.

Dhjetëra piktorë, çdo shtatë vite me mijëra tonë bojë rilyejnë tërësisht kullën. Janë ata, në shumicën e rasteve, që sinjalizojnë për pjesët që duhet të zëvendësohen. Sipas Stephane Roussin, përgjegjësi i ri për strukturën që merret me mirëmbajtjen e kullës, vetëm 10 përqind e strukturës ka patur nevojë deri më sot për zëvendësime.

Një kontroll teknologjik i kryer në vitin 2009 ka zbuluar se hekuri i përdorur prej Eiffelit, që ishte i njëjti i përdorur edhe për patkonjtë e kuajve, reagon pak a shumë si druri, por me një rezistencë shumë më të lartë. Po kështu, oksidohet shumë më pak se sa çeliku. Jo vetëm kaq, kulla është edhe në linjë me normat e sigurisë europiane që janë aktualisht në fuqi: mban të paktën dyfishin e peshës së vet, lëviz por nuk shkatërrohet. Pra, pavarësisht moshës, krijesa e hekurt e krijuar nga gjenialiteti vizionar i inxhinierit Gustave Eiffel, gëzon “shëndet” të plotë dhe sipas ekspertëve duhet të përballojë e qetë shekujt e ardhshëm.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Kuriozitete

Horoskopi ditor për nesër, e Hënë 23 Dhjetor 2024

Dashi Sot priten goxha ndryshime ne jetën tuaj ne çift. Rutina do marre fund dhe…

LEXO ME SHUME
Categories Kuriozitete

Horoskopi ditor për nesër, e Shtunë 21 Dhjetor 2024

Dashi Dita do të nis me pozitivitet dhe nëse jeni çift, do të keni mundësi…

LEXO ME SHUME
Categories Kuriozitete

Horoskopi ditor për sot, e Enjte 19 Dhjetor 2024

Dashi Marrëdhënia me partnerin nuk do jete shume e mire gjate kësaj dite madje mund…

LEXO ME SHUME
Categories Kuriozitete

Horoskopi ditor për nesër, e Martë 17 Dhjetor 2024

Dashi Saturni do të ketë ndikim aspak të pëlqyeshëm për të lindurit e kësaj shenje.…

LEXO ME SHUME
Categories Kuriozitete

Horoskopi Javor nga data 16 deri 22 Dhjetor 2024: Parashikimi i yjeve për secilën shenjë

DASHI Një javë plot mundësi për rritje personale dhe reflektime të brendshme hapet para jush.…

LEXO ME SHUME