Një ngjarje e rëndë është regjistruar në zonën e Lungomares në Vlorë, ku një pronar lokali është dhunuar nga tre persona të paidentifikuar.
Sipas informacioneve paraprake, pronari i një lokali është goditur fizikisht nga tre persona, duke pësuar dëmtime dhe duke përfunduar në spital për ndihmë mjekësore.
Ngjarja ka ndodhur në një zonë shumë të frekuentuar nga qytetarë dhe turistë, çka ka shkaktuar panik dhe reagim të menjëhershëm. Kanë qenë familjarët dhe qytetarët e pranishëm ata që kanë njoftuar policinë.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e rendit, të cilat kanë nisur veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Autorët janë larguar me shpejtësi, ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e tyre.
