Njëri prej personave të infektuar dhe që shënon një vatër të re të përhapjes së koronavirusit është një 66 vjeçar nga Patos, i kthyer nga Italia me të njëjtin avion që erdhi edhe gruaja nga Durrësi, e cila humbi jetën duke shënuan vi ktimën e parë të koronavirusit në Shqipëri.
Por çfarë ka ndodhur?! Pasi ka zbritur nga avioni, ai ka marrë një furgon të linjës Tiranë-Fier në terminalin e Autobusëve ku ndodheshin dhjetëra persona dhe ka shkuar në Fier. Atje, mësohet se ka shkuar edhe në bashkinë e qytetit dhe ka zhvilluar disa takime me zyrtarë atje.
Ditën e mërkurë, 66-vjeçari ka shfaqur temperaturë të lartë dhe ka dyshuar se mund të ketë qenë i prekur nga koronavirusi. Pasi i janë bërë testimet, ai ka rezultuar pozitiv. Ndërkohë që ende nuk dihet, a janë karantinuar të gjithë personat që kanë patur kontakt me këtë person.
Bilanci i COVID-19 në Shqipëri ka shkuar në 33 të prekur. Një prej të prekurve, ndërroi jetë në Spitalin e Durrësit dhe vatra e të infektuarve është zgjeruar në Tiranë, Rrogozhinë, Elbasan, Durrës, dhe Lushnje. Jeta në vend është paralizuar thuajse totalisht, me ndërprerjen e transportit dhe punës. Po ashtu shumë qytete janë në ‘shtet-rrethim’ dhe është ndaluar dhe lëvizja e makinave private.
E vetmja këshillë e përbashkët e institucioneve dhe mjekëve është që qytetarët të qendrojnë në shtëpi dhe të kenë sa më pak kontakte me të tjerët./GSH
