Categories Lajme

Edhe lumi i Vjosës, babëzia e pushteti s’la asgjë të bukur në këtë vend!

Autor: Artan Rama

Errësira “e transparencës” së Agjencisë Kombëtare të Mjedisit Projekti për ndërtimin e digës së Kaliaçit në Vjosë, lumit më të rëndësishëm të Shqipërisë Jugore, i paprekur ende prej hidrocentraleve, është vetëm një hap larg marrjes së Deklaratës Mjedisore. Të dhënat e grumbulluara tregojnë se kompania koncesionare “Ayen Alb” ka aplikuar online në 2 prill 2020, përmes sistemit të vlerësimit mjedisor në Platformën e-Albania, duke i kërkuar Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), të shqyrtojë dokumentacionin teknik mjedisor i cili ka mbërritur në fazën e tij përfundimtare. Por ndonëse një projekt me ndjeshmëri të lartë publike, autoritetet kanë zgjedhur mospublikimin e dokumentacionit, çka i privon qytetarët dhe grupet e interesit nga reagimet.

Procesi i vlerësimit mjedisor nisi në hyrje 2019-s, dhe u pasua nga një numër dëgjesash publike të cilat kulmuan me dëgjesën e fundit, në Pallatin e Kulturës së qytetit të Memaliajt, këtë janar. Tani, kompania është në pritje të marrjes së Deklaratës Mjedisore, e cila është leja e fundit përpara se projekti të paraqitet në Këshillin Kombëtar të Territorit (KKT). Më tej, rruga për zbatimin e tij në terren është e hapur. Por legjislacioni mjedisor kërkon që, edhe gjatë kësaj faze, publiku të njihet me këtë informacion. Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 247, dt. 30. 4. 2014, në Kreun II, pika 4.2 mbi përgjegjësitë e AKM-së thotë fjalë për fjalë kështu ”(AKM-ja)… merr mendimin e publikut në fazën e shqyrtimit të projektit për Deklaratën Mjedisore”. Kompania aplikoi në 2 prill, por deri më sot AKM-ja nuk ka publikuar ndonjë dokument.

Kështu, dokumentacioni për vlerësimin mjedisor i projektit më të vjetër hidroenergjitik, i ndërtimit të digës së Kalivaçit në Vjosë, i projektit më të diskutuar në tridhjetë vitet e fundit, me përhapje, jo vetëm brenda, por dhe jashtë territorit të vendit, ku me një peticion ndërkombëtar, disa qindra shkencëtarë janë shprehur publikisht kundër, nuk bëhet publik prej AKM-së në fazën finale, pikërisht atëherë kur kompania ka depozituar kërkesën e saj të fundit: Deklaratën Mjedisore.

Në një vështrim të kufizuar vetëm në dy muajt e shkuar, në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), shihet se projektet zhvillimore të publikuara online përbëjnë vetëm 10% të totalit të aplikimeve. Gjithçka tjetër, që përfshin një numër shumë herë më të madh, nuk është e publikuar. Gjatë periudhës dymujore (mars-prill) të kufizimeve më të mëdha, për shkak të pandemisë së Koronavirusit, administrata mjedisore ka shqyrtuar 119 aplikime projektesh të kompanive private dhe publike, aprovimi i të cilave ndikon në gjendjen e mjedisit. Por prej tyre, AKM-ja ka publikuar vetëm një projekt për çdo dhjetë aplikime.

Foto nga ndërtimi i hidrocentralit të Kalivacit Përmes Vendimit (VKM) Nr. 247, dt. 30. 4. 2014, Këshilli i Ministrave cakton AKM-në që të publikojë për 20 (njëzet) ditë rresht, në faqen e saj të Internetit, informacionin e plotë për secilin prej projekteve të prezantuara nga bizneset. Është ky mekanizëm ligjor që mbështet mundësinë e publikut për të reaguar qysh në fazat e para të vendimmarrjen mjedisore. Duke vështruar në brendësi të listës së papublikuar, numrin më të madh të aplikimeve, rreth një të katërtën e tyre, e zënë guroret dhe hidrocentralet. Tre projekte ndërtimi hidrocentralesh referohen në territore me habitate të regjistruara si zona të mbrojtura. Fjala është për një hidrocentral në Lumin e Gashit (Tropojë), HEC Marinaj në Kuturman të Librazhdit dhe HEC Bushtrica në Përrenjas. Ndonëse autoritetet kanë detyrimin për të publikuar plotësisht materialet shoqëruese, faqja e Konsultimeve Publike e AKM-së nuk përmban asnjë njoftim për këto projekte.

E drejta e publikut për t’u informuar mbi gjendjen e mjedisit është një e drejtë e cila sanksionohet në Kushtetutën e Shqipërisë, në nenin 56: “Kushdo ka të drejtë të informohet për gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij”. Mospublikimi informacioneve mbi projektet zhvillimore që ndikojnë në gjendjen e mjedisit prej AKM-së, favorizon bizneset të cilat shpërfillin plotësimin e detyrimeve që kanë për përmirësimin e gjendjes së mjedisit.

Qendra ResPublica, një organizatë që mbron të drejtën për informim të qytetarëve analizon prej vitesh problematikën e mospublikimit të informacionit mjedisor prej zyrtarëve të AKM-së. Qysh prej 2018-s kjo organizatë, duke hulumtuar nëpër faqet online të AKM-së, arriti në përfundimin se …ky institucion nuk informon publikun, siç kërkohet nga VKM nr. 247, dt 20.05.2014 “Për përcaktimin e rregullave… për informimin dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrjen mjedisore”. Organizata ia parashtroi faktet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, që ka në varësi AKM-në. Por ministria nuk bëri asnjë hetim lidhur me gjetjet. Raportet e mëpasshme (2019 dhe 2020) “Për të Drejtën për Informim” nga ResPublica reflektojnë të njëjtën mungesë transparence dhe llogaridhënie.

Në përfundim, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, administratori i vetëm i informacionit mjedisor, përmes mospublikimit online të informacionit, duke ia fshehur atë publikut, në kushtet e izolimit të shtrënguar prej pandemisë së Covid -19, ndihmon shtimin e mjegullnajës, por edhe të konflikteve mes grupeve të interesit, mbi ndikimet e mundshme negative të këtyre projekteve zhvillimore në atë që është dhe objekti i saj i punës: mjedisi.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Aksident në Korçë/ Makina me shpejtësi përmbyset në rrugë, shoferi shpëton për mrekulli

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar sot pas mesnate, rreth orës 01:00 në Korçë.…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Horoskopi ditor për sot, e diel 5 korrik 2026

Dashi Do jeni shume me tolerante sot juve qe jeni ne një lidhje dhe marrëdhënia…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Pritet mot i kthjellët në të gjithë vendin, ja sa do të arrijnë temperaturat këtë të diel

Shqipëria do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme gjatë ditës së diel, duke sjellë…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Horoskopi ditor për sot, e Shtunë 4 Korrik 2026

Dashi Për te qene te lumtur me partnerin duhet te bëni disa lëshime te vogla.…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Aksident i rëndë pranë pikës kufitare në Morinë, 6 makina përplasen mes tyre

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur këtë të shtunë në kilometrat e fundit të…

LEXO ME SHUME