Kryetari i bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku ka dorëzuar zyrtarisht në policinë shkencore shenjat e gishtave. Pas letrës së dërguar në adresën bashkia Vorë, Report Tv mëson se e njëjta letër është dërguar më pas në adresën e tij në Prezë, ku ka shtëpinë. Më pas Prokuroria e Përgjithshme dhe Njësia e Dekriminalizimit kanë administruar gjurmët e gishtave më datë 3 shtator pas orarit zyrtar. Këto gjurmë do të krahasohen me ato që pritet të mbërrijnë nga Greqia ku është dërguar letërporosia me herët gjurmët e gishtërinjve u administruan nga të dhënat biomtrike për të vërtetuar nëse Kajmaku ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit që dorëzoi para kandidimit për kryetar bashkie, ku fitoi në zgjedhjet lokale të 30 Qershorit.
Por përse fillimisht Kajmaku nuk dha shenjat e gishtave? Për këtë cështje lindi edhe një përplasje në distancë me deklarata mes prokurorisë së përgjithshme dhe postës shqiptare. Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se Kajmakut iu dërgua një kërkesë të dorëzojë gjurmët e gishtërinjve, por shtoi se nuk mbërriti për shkak se shërbimi postar ngatërroi adresë. Për këtë shkak, njoftoi prokuroria shenjat e gishtërinjve të Kajmakut që u dërguan në Greqi janë administruar përmes pasaportës.
Por këtë pretendim Posta Shqiptare e hodhi poshtë duke thënë se ‘porosia’ për Kajmakun nga Prokuroria e Përgjithshme është dorëzuar në destinacion brenda 72 orësh dhe nuk ka pasur ngatërresë. Sipas tyre kjo është lehtë e verifikueshme pasi është firmosur nga sekretaria e bashkisë së Vorës. Në këtë përplasje, PD-ja gjeti fajtorin, që sipas saj është Arta Marku, drejtuese e prokurorisë së përgjithshme, që për Bardhin ka qëllim mbrojtjen e Agim Kajmakut, por letra u dërgua edhe në banesën e tij në Prezë ku u morën shenjat e gishtave duke i dhënë fund debatit.
Lidhur me Kajmakun PD-ja ka publikuar një dokument sipas saj nga sistemi TIMS me foton e Jorgo Totos në pasaportën me nr. Z 0148497, me të cilën është arrestuar dhe një tjetër po nga sistemi TIMS që tregon pasaportën me emrin Agim Kajmaku nga ku del në përfundimin se janë i njëjti person. Sipas selisë blu kjo vërteton se personi i kërkuar nën emrin Jorgo Toto në Greqi në fakt është Agim Kajmaku. Por për t’i dhënë fund debatit pritet përgjigja nga Greqia për të vërtetuar kush gënjen, Kajmaku apo PD-ja.