Katër persona të tjerë janë arrestuar në lidhje me vrasjen e 49-vjeçares Arlinda Zekaj në Vitomiricë të Pejës, raportojnë mediat në Kosovë.
Në mesin e të arrestuarve janë edhe ish-vjehrra e viktimës, Nurije Sylaj, e cila dyshohet se ka nxitur kryerjen e vrasjes, si dhe ish-kunati i saj, Driton Sylaj.
Arrestimet e fundit vijnë në kuadër të hetimeve për zbardhjen e plotë të vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës.
Sipas raportimeve, për vrasjen dyshohet Albert Sylaj, ish-kunati i viktimës, i cili ishte arrestuar më 28 tetor në Deçan, pas dy ditësh në kërkim.
Arlinda kishte kërkuar ndihmë nga institucionet para se të vritej
Rasti i Arlinda Zekajt tronditi opinionin publik edhe për shkak të paralajmërimeve dhe kërkesave të saj të përsëritura për mbrojtje nga institucionet.
Vetëm tri ditë para se të vritej, ajo i ishte drejtuar me një letër Prokurorisë në Pejë, duke kërkuar veprime urgjente ndaj zyrtarëve dhe institucioneve që, sipas saj, nuk kishin përmbushur detyrimet për mbrojtjen e saj.
Arlinda kishte qenë në një proces gjyqësor lidhur me dhunën në familje dhe kishte kërkuar zbatimin e vendimit gjyqësor që i mundësonte kthimin në shtëpinë e përbashkët.
Ditën e vrasjes, ajo kishte raportuar sërish për probleme me ish-bashkëshortin, i cili ishte ndaluar nga policia për 48 orë. Pas kësaj, Arlinda ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi, ku, sipas Prokurorisë, vetëm pak minuta më vonë dyshohet se u sulmua për vdekje.
Rasti nxiti reagime të shumta dhe ngriti pikëpyetje serioze për trajtimin institucional të kërkesave të saj për mbrojtje. Pas vrasjes, 11 zyrtarë policorë u pezulluan, ndërsa Inspektorati Policor i Kosovës evidentoi mangësi në zbatimin dhe trajtimin e urdhrave mbrojtës.
Hetimet për rastin po vazhdojnë.
