Epidemiologu Dritan Ulqinaku deklaroi në “Ditari” në A2 se edhe për dy javë të tjera do të jetë e vështirë që në vendin tonë të mos ketë raste të reja, por, sipas tij, shifra e ulët e rasteve do të bëjë që të vazhdojmë të jemi të përqendruar ndaj virusit. ”Shifrën 0 nuk do të mund ta kemi mendoj edhe për dy javë të tjera. Ne do të vazhdojmë të jemi të fokusuar dhe në këtë kuptim është mirë që të kemi raste të reja çdo ditë. Sheshimi në zero i rasteve është shumë i vështirë. Ne duhet të mësohemi me raste të përditshme për një kohë të gjatë”.
Sipas tij, lirimi i masave nuk do të sjellë shumëfishim të rasteve. “Njerëzit e kanë vrarë frikën, por distancimin e kanë respektuar dhe për këtë arsye kemi pak raste ditore. Hapja nuk do të sjellë shumëfishim të rasteve. Lehtësimi i masave ka ardhur edhe për arsye të temperaturave të larta. Ambientet e jashtme nuk e favorizojnë infeksionin, ato të mbyllura e favorizojnë. Deri në shtator apo tetor nuk do të kemi valë të fortë. Por, bota po përgatitet për valën e dytë dhe ne nuk duhet ta harrojmë pandeminë dhe masat”.
Kur u pyet nëse rritja e numrit të testimeve do të ndihmonte për përballimin e kësaj vale të dytë, Ulqinaku tha: “Tani që ka pak raste në ditë, hetimi epidemiologjik do të thellohet edhe më tej”. Në lidhje me hipotezën se koronavirusi i ri ka qarkulluar që në janar në vendin tonë, Ulqinaku deklaroi se nëse kjo do të ishte e vërtetë, në mars do të kishim pasur 200-300 raste në ditë.