Një nga armiqtë më të mëdhenj të Paketës “Anti KÇK”, të miratuar nga qeveria e të lançuar nga Kryeministri Edi Rama, mund të jetë skepticizmi i qytetarëve. Një skepticizëm që nuk ka të bëjë aspak, me dyshimet e tyre rreth vullnetit të mazhorancës, për ti shkuar deri në fund këtij angazhimi. As me qëllimin. As me përmbajtjen. As me butësinë apo ekstremitetin e masave ndëshkuese, që parashikohen në të, ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri.
Ky skepticizëm ka në themel të tij zhgënjimin e së shkuarës. I cili u mboll e u rrit pa u ndalur, nga qeveritë e radhës. Nga ministrat e brendshëm e të drejtësisë së radhës. Nga kryegjyqtarët e sidomos kryeprokurorët e radhës. Të cilët premtonin luftë pa kompromis kundër të keqes, në afate që përfundonin gjithmonë në “kalendat greke”! Simboli kryesor i këtij skepticizmi, u bë ish Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Lalla, i cili premtonte publikisht vit pas viti, se çdo shtator do të çonte prapa hekurave të gjithë “peshqit e mëdhenj”. Derisa ishte ai vetë që zuri radhën i pari, për tu ndëshkuar si i tillë, nga drejtësia e re. Ilaçi më efikas për shërimin e shpejtë të skepticizmit, janë rezultatet konkrete e të pandalshme nga e hëna e 3 shkurtit 2020 kur Paketa “Anti KÇK” hyn në fuqi, e në vijimësi. Të kapësh nga një kriminel çdo ditë, për të mos e liruar kurrë derisa ai të paguajë haraçin e asaj për të cilën do akuzohet dhe do i sekuestrohet çdo qindarkë e pasurisë së tij të vendosur në rrugë kriminale, do të jetë një hap i vogël për policinë e drejtësinë. Por një provë shumë e madhe vendosmërie, për çmontimin e skepticizmit, tek qytetarët.
E ashtu si pika e ujit që bie e bie papushim mbi shkëmbin, derisa e bën atë gropë me kalimin e kohës, edhe ndëshkimi çdo ditë i një banditi, i një mafiozi, i një të korruptuari, i një bande, i një grupi të strukturuar kriminal, do të sjelli një ndjesi të vogël krenarie për efektivët e njësisë më të re operacionale (OFL) të Policisë së Shtetit në terren, për prokurorët e SPAK dhe gjyqtarët e institucioneve të reja të drejtësisë. E bashkë me këtë, do të vijë edhe një dozë më e lartë optimizmi, ndër ata qytetarë që sot mund të mos jenë shumë optimistë apo koshientë, për epokën e re që po vjen, në luftën e pakompromis kundër krimit të organizuar në Shqipëri. Duke vepruar kështu çdo ditë do të kemi në fund të javës, në fund të muajit e në fund të vitit, një listë gjithnjë e më të gjatë kriminelësh të ndëshkuar, asetesh të vendosura nga burimet kriminale të sekuestruara, banda e familje mafioze të dënuara nga sistemi i ri i drejtësisë. Arrestimi çdo ditë i një krimineli, do të forcojë bindjen se hapat e vegjël kanë shumë rëndësi për implementimin praktik e në vijimësi pa kompromis, të Paketës “Anti KÇK”.
Nëse nuk do të arrijmë që të shohim të realizuara çdo ditë gjërat e vogla, nuk do të arrijmë asnjëherë siç duhet, tek gjërat e mëdha. Tek shkulja nga rrënjët e farës së keqe të kulturës për të “kapur ç’të kapësh”. Tek ndëshkimi pa mëshirë dhe futja e frikës ligjore, fajtorëve të vërtetë. Tek mbrojtja përmes sistemit të meritokracisë dhe shtetit të së drejtës, të qytetarëve model përballë detyrimeve ndaj shtetit, ligjit e shoqërisë. E deri tek mbrojtja e qytetarëve normalë, të pafajshëm, të dobët, të pamundur e të pafuqishëm. Kjo është formula më e thjeshtë për të larguar skepticizmin e qytetarëve dhe më efikasja besoj, për të garantuar triumfin e pandalshëm të Paketës “Anti KÇK”, ndaj frontit të së keqes!
