Fermerët e disa fshatrave të bashkisë Selenicë do të kenë një sistem më të mirë kanalizimesh për ujitjen dhe kullimin e tokave bujqësore. Kryetari i bashkisë së Selenciës, Pëllumb Binaj, tha për ATSH-në se “vazhdon puna për pastrimin e kanalit vaditës Armen-Drashovicë, një punë e shumëpritur prej kohësh nga banorët e zonës”. “Ky kanal me një gjatësi lineare prej 11 Km do t’u shërbejë fermerëve të fshatrave Armen, Picar, Lubonjë, Penokovë, Peshkëpi dhe Drashovicë”, – tha Binaj.
Sipas tij, punimet kanë ecur me ritme të shpejta dhe shpresohet që brenda datës 5 maj ky kanal të jetë në funksion të fermerëve. Kryebashkiaku Binaj shprehet se shumë është bërë, por akoma më shumë mbetet për t’u bërë në këtë drejtim.
“Puna jonë do të vazhdojë çdo ditë në mënyrë që sezoni vaditjes të na gjejë gati. Ditët në vijim do të vazhdojmë me kanalet kulluese dhe vaditëse në Shkozë, Mesaplik, Brataj. Tani është periudha që të punojmë në disa segmente me objektiv që brenda 15 majit sistemi i vaditjes të jetë në gatishmëri”, – tha Binaj. Bashkia e Selenicës ka si prioritet përveç rehabilitimit të rrugëve rurale edhe pastrimin e kanaleve kulluese dhe vaditëse