Eksploruesit e detit kanë gjetur dy transportues aeroplanësh japonezë të fundosur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Transportuesit ishin mes 7 anijeve që u përdorën në Betejën e Midway, një betejë e madhe ajrore dhe detare midis SHBA-së dhe Japonisë në 1942.
Njëra anije, Kaga, u zbulua javën e kaluar ndërsa mbetjet e transportuesit tjetër, Akagi, u gjet të dielën. Deri tani vetëm njëra nga anijet e zhytura gjatë kësaj beteje ishte gjetur, ajo amerikane USS Yorktoën, në 1998. Zbulimet e këtij muaji erdhën pas disa javësh kërkime nga anëtarët e ekuipazhit të anijes kërkimore Petrel. Anija është në pronësi të Vulcan Inc, një kompani e krijuar nga bashkëthemeluesi i ndjerë i Microsoft, Paul Allen.
Ekuipazhi vendosi një mjet autonom nënujor (AUV) të pajisur me Sonar që ndihmoi në përcaktimin e vendndodhjeve të Kaga dhe Akagi. Të dy anijet u gjetën në thellësinë rreth 5,490 metra nën ujë brenda Papahanaumokuakea Marine National Monument, zona më e madhe e ruajtjes detare në botë.
Midway Atoll, një grup i vogël ishujsh në Paqësorin e Veriut, u përdor si një instalim ushtarak amerikan gjatë luftës. Japonia kishte planifikuar të pushtonte ishujt por kur mbërritën atje më 4 qershor 1942 për të sulmuar u përballën me trupat amerikanë. Më shumë se 2.000 japonezë dhe 300 amerikanë u vranë në betejë. Gjithsej u fundosën 7 anije, katër prej të cilave japoneze.