Categories Lajme

Presidenti Donald Trump pezullon Lotarinë Amerikane, arsyeja

Presidenti amerikan Donald Trump ka pezulluar skemën e lotarisë së Kartës së Gjelbër (Diversity Visa – DV1), pas të shtënës masive në Universitetin Brown javën e kaluar, ku humbën jetën dy persona dhe u plagosën disa të tjerë. Vendimi u konfirmua nga Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, e cila deklaroi se pezullimi i programit është bërë me urdhër të presidentit Trump, me qëllim që “asnjë amerikan të mos dëmtohet më nga ky program katastrofik”.

I dyshuari kryesor, 48-vjeçari portugez Claudio Neves Valente, u gjet i vdekur të enjten në një depo në Salem, New Hampshire. Sipas autoriteteve, ai kishte hyrë në SHBA në vitin 2017 përmes programit të vizave të lotarisë së diversitetit dhe ishte pajisur me Kartë Jeshile. Policia beson se ai i dha fund jetës me armë zjarri.

Zyrtarët amerikanë dyshojnë gjithashtu se Neves Valente është përgjegjës për vrasjen e profesorit të Institutit të Teknologjisë në Masaçusets (MIT), Nuno F. Gomes Loureiro, 47 vjeç, i cili u qëllua për vdekje në shtëpinë e tij në Brookline, vetëm dy ditë para sulmit në Universitetin Brown. Të dy burrat kishin studiuar në të njëjtin universitet në Portugali në fund të viteve 1990.

Sipas Prokurorit të Përgjithshëm të Rhode Island, Peter Neronha, prova të gjetura në një automjet pranë vendit ku u gjet i vdekur i dyshuari përputhen me vendngjarjen e të shtënave në Universitetin Brown. Policia arriti të identifikojë Neves Valente pas një kërkimi gjashtë-ditor në disa shtete, përmes pamjeve të kamerave të sigurisë dhe informacioneve nga publiku.

Presidentja e Universitetit Brown, Christina Paxson, bëri të ditur se Neves Valente kishte qenë student në këtë universitet nga vjeshta e vitit 2000 deri në pranverën e vitit pasardhës, ku studionte për doktoraturë në fizikë, por nuk kishte asnjë lidhje aktive aktuale me institucionin.

Sulmi ndodhi më 13 dhjetor, kur një person i armatosur hyri në ndërtesën e inxhinierisë gjatë provimeve përfundimtare dhe hapi zjarr. Dy studentë u vranë: Ella Cook, 19 vjeçe, studente e vitit të dytë nga Alabama, dhe Mukhammad Aziz Umurzokov, 18 vjeç, një uzbeko-amerikan që kishte nisur së fundmi studimet. Nëntë studentë të tjerë mbetën të plagosur.

Programi i lotarisë së Kartës së Gjelbër u jep çdo vit deri në 50 mijë viza emigrimi shtetasve nga vende me nivele të ulëta emigracioni drejt SHBA-së, përmes një përzgjedhjeje të rastësishme. Trump kishte tentuar edhe më parë ta shfuqizonte këtë skemë, duke e lidhur atë me sulme të mëparshme terroriste, përfshirë atentatin me kamion në New York në vitin 2017. Nga ky vendim preket edhe Shqipëria, pasi shumë qytetarë shqiptarë aplikojnë çdo vit për këtë program, në kërkim të ëndrrës amerikane.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Dhërmi, arrestohen dy persona, Shisnin doza kokaine dhe kanabisi

Dy persona janë arrestuar në flagrancë pasi shisnin doza kokaine dhe kanabisi në Dhërmi. Në…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Kamioni shpërthen në flakë gjatë ecjes pranë Laçit

Një kamion i tonazhit të mesëm u përfshi sot (25 gusht) nga flakët në rrugën…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Reforma territoriale, Shoqata e Bashkive kërkon ndërhyrjen e Këshillit të Evropës

Shoqata e Bashkive dhe e të Zgjedhurve Vendorë i është drejtuar me një letër urgjente…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Horoskopi ditor për sot, e Martë 25 Gusht 2026

Dashi Mos e lini për asnjë moment pas dore partnerin tuaj sot sepse mund t’iu…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Zbardhet vjedhja e 2.5 milionë lekëve dhe bizhuterive në Tiranë

Policia e Tiranës ka zbardhur vjedhjen e ndodhur 10 ditë më parë në një banesë…

LEXO ME SHUME