Sekuestrohen thika e përdorur në konflikt, kanabis dhe një armë sportive që përdorej me sfera.
Një 23-vjeçar, i cili ndodhej me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, është arrestuar nga Policia e Korçës, pasi dyshohet se plagosi me thikë një 19-vjeçar gjatë një konflikti në lagjen nr. 4 të qytetit.
Ngjarja u regjistrua në Korçë, ku shtetasi R. I., 23 vjeç, dyshohet se ka goditur me thikë në këmbë shtetasin M. A., 19 vjeç. Ky i fundit ndodhet në spital, ku po merr ndihmë mjekësore, dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve në DVP Korçë, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Pas disa orësh ndjekjeje dhe veprimesh hetimore, policia bëri të mundur kapjen dhe arrestimin e 23-vjeçarit. Nga verifikimet rezultoi se ai ishte me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar më parë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, uniformat blu sekuestruan thikën e përdorur gjatë konfliktit, një sasi lënde narkotike kanabis dhe një objekt në formë pistolete, në ngjyrë të zezë, që përdorej me sfera.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve sportive”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
