AGSH: 50 incidente ndaj gazetarëve gjatë protestave në Tiranë, 40 prej tyre të lidhura me Policinë e Shtetit
Pesë gazetarë u goditën me plumba gome, ndërsa raportohen dhunë fizike, kërcënime dhe pengim i punës së medias gjatë protestave të 13–24 tetorit.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka publikuar një raport shqetësues mbi dhunën dhe pengimin e punës së gazetarëve gjatë protestave të studentëve dhe të rinjve në Tiranë.
Sipas të dhënave të organizatës, gjatë periudhës 13–24 tetor 2026 janë dokumentuar 50 incidente ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias. Nga këto, 40 raste, ose 80% e totalit, lidhen drejtpërdrejt me Policinë e Shtetit.
Një nga gjetjet më të rënda të raportit është se pesë gazetarë dhe punonjës të medias janë goditur me plumba gome nga policia gjatë ushtrimit të detyrës.
Incidentet e dokumentuara përfshijnë dhunë fizike, kërcënime, pengim të raportimit, dëmtim të pajisjeve profesionale, përdorim të sprajit me piper dhe sulme verbale ndaj gazetarëve.
Gazetarët e News24 mes të dëmtuarve
Në raport janë evidentuar edhe disa raste të gazetarëve dhe operatorëve të News24.
Elvin Kamberi raportohet se është lënduar nga një mjet zhurmues i hedhur nga policia, ndërsa Renaldo Salianji ka denoncuar dhunë fizike dhe fyerje nga një efektiv.
Gazetari Osman Stafa rezulton i përfshirë në dy incidente të veçanta, ndërsa Klevi Muka dhe Armand Kullau janë gjithashtu mes punonjësve të medias që kanë raportuar dhunë gjatë protestave.
Në protestën e 24 tetorit, sipas AGSH-së, Klevi Muka pësoi djegie në trup nga uji i hedhur nga policia, ndërsa Armand Kullau u sulmua qëllimisht me spraj me piper nga një distancë e afërt.
Raporti evidenton edhe sulme nga protestuesit
Përveç incidenteve që lidhen me Policinë e Shtetit, raporti evidenton edhe sulme ndaj gazetarëve nga protestuesit, përfshirë goditje me gurë dhe dëmtime të pajisjeve të xhirimit.
Në dokument janë përfshirë gjithashtu deklarata publike të kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, të cilat AGSH i ka kritikuar si sulme verbale dhe retorikë denigruese ndaj mediave.
Bilanci i publikuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ngre shqetësime serioze për sigurinë e gazetarëve dhe respektimin e lirisë së medias gjatë protestave.
Organizata kërkon vëmendje ndaj incidenteve të dokumentuara, duke vënë në dukje se një numër i lartë i tyre i atribuohet forcave të Policisë së Shtetit.
