Fermerët e Dibrës që merren me kultivimin e patates po përballen sërish këtë vit me mungesën e tregut të shitjes dhe çmimet e ulëta. Të gjendur përballë kërkesës së dobët dhe pamundësisë për të shitur prodhimin, ata janë detyruar të hedhin në përrua një pjesë të patateve të mbetura.
Mevlut Kurtulla dhe Xhevat Rexha, fermerë nga fshati Pocest i Dibrës, tregojnë se kjo situatë përsëritet çdo vit, ndërsa të ardhurat nga shitja e prodhimeve nuk arrijnë të mbulojnë as kostot e prodhimit.
Sipas tyre, mungesa e mbështetjes nga shteti dhe e ambienteve frigoriferike për ruajtjen e produkteve bujqësore janë ndër problemet kryesore që po rëndojnë mbi fermerët e zonës.
“Filluan të kalben. Një pjesë i shita, të tjerat… Shteti duhet të na ndihmojë, por ku është shteti? Ne jemi me forcat tona”, shprehet njëri prej fermerëve.
“Detyrohen t’i hedhin në përrua. Mundi i gjithë verës shkon dëm”, thotë një tjetër fermer.
Vështirësi të ngjashme përballen edhe prodhuesit e frutave, kryesisht të mollëve, pasi Dibra është një nga zonat e rëndësishme të prodhimit të frutikulturës në vend.
Fermerët kërkojnë prej kohësh ndërtimin e një tregu frigoriferik, ku të mund të ruajnë prodhimet pas vjeljes dhe t’i shesin ato gradualisht, në varësi të kërkesës së tregut.
Sipas tyre, mungesa e këtyre ambienteve i detyron të shesin prodhimet brenda një periudhe të shkurtër, shpesh me çmime shumë të ulëta, ose të humbasin një pjesë të konsiderueshme të tyre.
Një situatë që përsëritet vit pas viti, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm të ardhurat e fermerëve, por edhe të ardhmen e bujqësisë në këtë zonë.
