Biznesmeni nga Kosova, Behgjet Pacolli, ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme pas rreth shtatë orësh.
Ai ka deklaruar se ka bërë një kallëzim penal për atë që i cilësoi si padrejtësi lidhur me Aeroportin e Vlorës.
“Unë vetëm kam bërë një denoncim penal për padrejtësitë që janë bërë deri më tani për Aeroportin e Vlorës”, u shpreh Pacolli për mediat pas daljes nga SPAK.
Biznesmeni ishte thirrur nga prokurorët e posaçëm për t’u pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni, në kuadër të hetimeve që po kryhen për çështjen e Aeroportit të Vlorës.
Muajt e fundit, projekti i Aeroportit të Vlorës është përfshirë në një konflikt ligjor dhe administrativ për aksionet dhe menaxhimin e tij. Pacolli ka pretenduar për ndërhyrje të paligjshme në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), si dhe për përplasje me aksionarët e tjerë të shoqërisë.
