Gjiknuri, Moçka e Qendro inspektojnë rrugën e Nartës, Gjiknuri: Rruga drejt përfundimit, i shërben turizmit dhe bizneseve Gjiknuri: Investimet në zonat rurale të Vlorës do të vazhdojnë
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës ndoqi nga afër punimet që po shkojnë drejt përfundimit për rehabilitimin e rrugës së Nartës. Gjiknuri shoqërohej në këtë inspektim nga Kryetari i Këshillit të Qarkut Ervis Moçka dhe nënkryetari i Bashkisë së Vlorës Afrim Qendro.
“Ndoqa nga afër punimet që po përfundojnë për rrugën e re që shkon për në fshatin Nartë. Kuptohet, kjo është një rrugë që mban shumë trafik pasi është një rrugë e shfrytëzueshme nga turistët për plazh apo për të vizituar fshatin. Njëkohësisht, janë edhe disa biznese të rëndësishme të Vlorës të lidhura me këtë nyje rrugore.
Nga kjo pikëpamje, investimi këtu është shumë i mirëpritur dhe është drejt përfundimit. Janë në vazhdën e investimeve që do të bëjë qeveria shqiptare në të gjitha zonat periferike të Vlorës, pra ato që quhen zona rurale”, u shpreh Gjiknuri.
Më tej ai ju rikthye premtimeve të bëra gjatë fushatës duke këmbëngulur se qeverisja e Partisë Socialiste do të bëjë gjithçka që projektet për Vlorën të ecin përpara. “Siç e kemi thënë që mandatin e tretë fokusi do të jetë tek periferitë dhe zonat rurale.
Nuk do reshtim së investuari në Vlorë dhe ky është një shembull tjetër që gjërat ne nuk i bëjmë për fushatë. Ky projekt ka filluar përpara fushatës dhe tashmë është drejt përfundimit, jo siç spekulohet herë pas here se projektet bëhen thjesht për të marrë votat. Përkundrazi, projektet janë këtu për të qëndruar gjatë e përtej votave pasi u interesojnë komuniteteve të zones”, theksoi Gjiknuri.
