Largimi i Ditmir Bushatit do të ndikojë në vizionin evropian të Shqipërisë, kur vendi ynë pret në Qershor një përgjigje pozitive nga vendet e Bashkimit Evropian. Ish-ministrja e Integrimit Klajda Gjosha shprehet se me ndryshimet në qeveri, Rama kërkon të kapë të gjitha institucionet madje edhe në diplomaci.
Edhe pse në opozitë me qeverinë, LSI mendon se largimi i ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati në këtë moment është i gabuar. Ish-Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha në një intervistë për Ora Neës analizoi dy momente kyçe për të cilat ministri Bushati nuk duhet të ishte larguar dhe që sipas saj janë: pritja e përgjigjes për integrimin në mesin e këtij viti si dhe bisedimet e lëna në mes me Greqinë.
Gjosha: Me një njeri që mundohet të jetë vetë kryeministër, ministër. Ndjej keqardhje edhe për lëvizjen e ministrave duke menduar që janë thjesht manikina dhe kjo nuk i bën mirë një vendi që synon të jetë pjesë e BE, apo të çelë negociatat.
Madje sipas ish-ministres së Integrimit Klajda Gjosha se largimi i Bushatit dhe i homologut të tij Kotzias do të ndikojnë edhe në frymen e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Gjosha: Ndryshimi i ministrave të jashtëm, patjetër që mund të sjellë politika të reja dhe ne do të duhet të shohim në ditët në vijim sesi do të vijojë me marrëveshjet e mbartura.
Presidenti Meta ende nuk e ka dekretuar shkarkimin e Ditmir Bushatit dhe emërimin e ministrit të ri dhe për këtë ministrja thotë se kreu i Shtetit duhet të marrë kohën e duhur.