Në studion e emisionit “Opinion” gazetarja Klodiana Lala ka lexuar një fragment nga dosja në ngarkim të personave të bandës së Avdylajve. Sipas Lalës këta shtetas kanë biseduar me përfaqësues të lartë të institucioneve në Shqipëri.
Sipas dosjes “nga përgjimet vërehen biseda me kryetarë bashkie, deputetë dhe ish-deputetë. Duket qartë interesimi për të marrë përfitime nga shërbimet publike” – tha Lala.
Sipas Lalës kishte dyshime që në banesën e Lulzim Berishës fshihej një sasi heroine, dhe se ky i fundit ndihmonte grupin kriminal të Avdylajve, për transportin e drogës drejt Gjermanisë.
“Kishte dyshime që në fakt rezultuan të pakonfirmuara që Berisha mund të fshihte sasi heroine në banesën e tij dhe ndihmonte grupin e Avdylajve në transportimin e heroinës. Familjarët i kanë thënë policisë, se Lulzim Berisha është larguar prej një muaji e gjysmë jashtë Shqipërisë. Shtëpia ka qenë e pastër dhe prandaj nuk ka urdhër arresti”, – tha Lala.
Edhe gazetari Artan Hoxha tha se ky i Avdulajve është mjaft i fuqishëm.
“Grupi më i fortë, me sa e njoh botën e krimit është grupi i Shijakut. Ai është një grup historik që nga mesi i viteve “90 me lidhje shumë të forta politike dhe policore. Grupi tjetër është i Lezhës që rezulton të ketë lidhje me të.
Me sa di unë grupi i Lezhës është ndaluar për ngjarjet në Lezhë. Kemi një grup që ka një nga lokalet më të njohur të jetës së natës në Tiranës dhe grupi i Hasit që është marrë me trafikimin dhe laboratorin e heroinës në Has”, – tha Hoxha.
