“Të zihesh për një burrë… po s’ia vlen moj zonja”
Falë ndërmjetësimit të bërë në studion e rubrikës “Shihemi në Gjyq” nga ana e juristes Eni Çobani është arritur që të zgjidhet pas 7 viteve konflikt mes gruas dhe bashkëjetueses së burrit. Palët ranë dakord që të bëjnë ADN-në për djalin jashtë martese.
Juristes së rubrikës “Shihemi në gjyq” në programin “E diela shqiptare” duket se i ka sosur durimi në seancën e sotme të ndërmjetësimit. Ajo u përpoq të ndërmjetësonte Sonilën e cila bashkëjeton prej 23 vitesh me një burrë të martuar me të cilin ka një djalë dhe Florën bashkë me vajzën e saj Denisën, të cilat janë përkatësisht gruaja dhe vajza e burrit me të cilin bashkëjeton.
Sonila kërkon prej bashkëjetuesit të saj atësinë për djalin 7-vjeçar dhe e revoltuar nuk ndalonte së foluri. Kjo situatë e ka bërë juristen Eni Çobani të“shpërthejë” duke i thënë Sonilës: “Po të zihesh për një burrë… po s’ia vlen moj zonjë. Nuk zihet njeriu për një burrë, po ç’e do atë burrë moj aman. Nuk duhet ai burrë moj. O Sonila po s’ke ç’e do atë burrë moj”.
Eni Çobani: Erdhëm në fund të seancës së ndërmjetësimit dhe situata është shumë e tensionuar. Ju kam dëgjuar shumë, paskam qenë shumë e duruar. Po të zihesh për një burrë… po s’ia vlen moj zonjë. Nuk zihet njeriu për një burrë, po ç’e do atë burrë moj aman. Nuk duhet ai burrë moj. O Sonila po s’ke ç’e do atë burrë moj.
Sonila, bashkëjetuesja: Nuk dua asgjë, dua vetëm atësinë. S’dua as pasuri asgjë, mund të firmos për këtë, dua vetëm atësinë. Se këta gjithë punën e kanë tek pasuria.
Denisa, vajza e Gëzimit: Po unë kam vite që kam luftuar dhe të ma marrësh ti djersën time. Se kaq vite e ke marrë ti.
Sonila, bashkëjetuesja: Zonja Eni mua fajin nuk ma kanë këta, por ai. Unë s’kam çfarë të bëj se më ka keq shpirti im. Fajin ma ka ai mua.
Eni Çobani: Po pra./tvklan.al
