Categories Lajme

“Homazh”/ Teodor Keko, i papërsëritshëm e i paharrueshëm në llojin e vet

Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot përmes rubrikës “Homazh”, shkrimtarin e njohur Teodor Keko.

“Teodor Keko ishte i papërsëritshëm e i paharrueshëm në llojin e vet dhe sot, 18 vjet pas kthimit të trupit të tij pa jetë në atdhe, në fund të një rrugëtimi sfilitës me vdekjen në trup, më është e pamundur ta kujtoj pa vënë buzën në gaz. Zyrtarisht Teodori ishte shkrimtar, poet, gazetar, deputet dhe pijetar. Por në fakt, ai ishte thjesht siç edhe vetëquhej, Dori i Vogël, një fëmijë me një palë mustaqe nga ato të komitëve a të poetëve të fotove të vjetra, që endej rrugëve të qytetit e të shkrimtarisë dhe kthehej gjithnjë e më vonë në shtëpi”, tha Rama.

Ai kujton se “për herë të parë Teodorin e ka takuar tek dyert e Lidhjes së Shkrimtarëve, kur pati tentuar të botoj pa sukses një shkrim në gazetën “Drita”. “Unë po dilja i ngrysur nga biseda me kryeredaktorin, që më shpjegoi pa durim pse shkrimi im ishte i pabotueshëm, ndërsa Dori po hynte i qeshur, e më mori për një dopio ngushëlluese plot dëfrim në klubin e Lidhjes. Prej asaj dite u lidh ura e miqësisë sonë dhe fjalia, “Pse më je mërzitur të keqen Dori jot?”, u bë si fjalëkalimi në bisedë sa herë takoheshim me njëri-tjetrin. Edhe kur pak e nga pak, vdekja nisi ta zinte vendin e jetës në qenien e tij, fjalëkalimi ishte po ky dhe e qeshura e Dorit nuk kishte asnjë ndryshim, deri në fund fare, kur vdekja u bë si të thuash dashnorja e tij zyrtare”, tha Rama.

“Teodor Keko i la letrave shqipe një baule me “rraqe” të të gjitha llojeve, të hedhura vrikthi si këpucët e xhaketat e tij kur ia rëndonin këmbë e krahët në fluturimin mbi flatrat e pijes, por ku po të kërkosh i gjen ca xhevahirë që të marrin frymën me bukurinë e tyre. Politikës i la një tog artikujsh, intervistash e fjalimesh në parlament, ku gjithashtu gjenden me pak durim, disa manifestime mbresëlënëse të një vëzhguesi të esëllt të jetës publike. Të gjithë atyre që e njohën u la kujtimin e pashlyeshëm të një njeriu të parobërueshëm brenda asnjë kornize, që e konsumoi jetën me një shpejtësi e furi të pandalshme, si një shishe të pirë me fund. Dhe në fakt, të numëruara kalendarikisht vitet e jetës së tij të ndërprerë në moshën 43-vjeçare janë tmerrsisht pak, por nëse vitet do të numëroheshin në bazë të shpejtësisë e të furisë së të jetuarit, Dori i Vogël jetoi shumë më tepër se bashkëmoshatarët e vet që janë ende gjallë”, vijoi Rama. “S’kam për ta harruar kurrë takimin e fundit me të. Ai e dinte se ishte i fundit dhe qeshte, jo sikur i ishte dorëzuar paqësisht vdekjes, po thjesht vazhdimit në qetësi absolute të jetës së jetuar pa frenim e as kursim, njësoj siç i dorëzohej gjumit lart në shtëpi, pasi kishte pirë në sabah gotën e fundit tek stacioni i tij fundor i endjeve natën, Kafe “Europa”. Dhe kur kujtoj Dorin e Vogël, më duket se ka pasur të drejtë kush ka thënë se të gjallët nuk qajnë të vdekurit, po veten e tyre dhe më vjen të qesh se zëre se e kam përballë, duke më thënë, “Pse më je mërzitur të keqen Dori?”…”, tha ai.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Itali, 3 të arrestuar, mes tyre dy vëllezër!

Policia italiane arrestoi 3 shqiptarë si pjesë e një operacioni kundër trafikut të drogës midis…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Zbardhet vrasja e Rexhep Ismailit në lokalin e tij, ishte në tavolinë me Tori Ruçin! Lulzim Tabaku dhe grupi i tij shpallen në kërkim

Drejtori i Policisë së Vlorës Elidon Çela, ka dalë sot me një deklaratë për mediat lidhur…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Horoskopi ditor për sot, e Premte 8 Maj 2026

Dashi Gjate kësaj dite do merren vendime mjaft te rëndësishme për jetën ne çift. Do…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Turizmi/ Kriza për punëtorë, pagat sezonale në Jug për pastruese arrijnë deri në 1,200 euro! Rritet me 20% oferta për punonjës

Ashtu si një vit më parë, edhe këtë sezon turistik baret, restorantet dhe hotelet në…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Vritet në lokalin e tij në Sarandë, Ismaili, pjesë e strukturave drejtuese të PD, deputetja demokrate: E tronditur, autorët të vihen para drejtësisë

Rexhep Ismaili, 66-vjeçari i cili një ditë më parë u ekzekutua me armë zjarri në…

LEXO ME SHUME