Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u shpreh sot se “në këto 7 vite, qeveria e ka taksuar punën dhe dijen më shumë se çdo qeveri tjetër më parë”. Sipas Bashës, “barra më e rëndë e këtyre taksave ka rënë mbi shtresën e mesme”. “Sot të gjithë e shohim se taksa progresive ka dështuar dhe ka prodhuar vetëm kaos, pandershmëri dhe padrejtësi. Ajo është kritikuar fort edhe nga organizatat ndërkombëtare si FMN”, tha ai.
Basha theksoi se “vendit i duhet një ndryshim i madh dhe rrënjësor”. “Politika jonë fiskale është pjesë e Planit Ekonomik për t’i kthyer frymëmarrjen vendit dhe ekonomisë së njerëzve: më shumë të ardhura në xhepat e tyre dhe më pak taksa. Ne do t’i eliminojmë nivelet e shumta të taksave mbi punën, do t’i heqim pengesat që vetëm frenojnë zhvillimin dhe do të thjeshtojme të gjithë sistemin”, shtoi ai.
Basha tha se “ne besojmë se më shumë para në duart e qytetarëve do të nxisin investimin në arsimim dhe kualifikim dhe do t’i japin frymë rritjes ekonomike”. “Politika jonë fiskale ka në bazë taksën e sheshtë 9% për qytetarët dhe të punësuarit, taksa më e thjeshtë dhe më e ulët në të gjitha vendet e rajonit”, theksoi Basha.
Po ashtu, ai tha se “mirëqenia e shtresës së mesme, e atyre që punojnë dhe prodhojnë, është jetike për rimëkëmbjen e gjithë ekonomisë shqiptare”. “Vetëm një qeveri serioze që kujdeset për njerëzit do ta vendosë shtetin dhe politikbërjen në funksion të rritjes së të ardhurave të gjithësecilit dhe jo të një grushti njerëzish! Shqipëria e ka potencialin të ofrojë mirëqenie dhe siguri për të gjithë qytetarët e saj”, shtoi ai.
