Categories Opinion

Ilir Hysa\ Basha apo Berisha? Demagogët heshtin nëse kemi guxim të shohim të vërtetën në sy

Ilir Hysa\ Basha apo Berisha? Demagogët heshtin nëse kemi guxim të shohim të vërtetën në sy

Miq, jam përmbajtur nga komentet në lidhje me zhvillimet e kohëve të fundit në Partinë Demokratike, dhe e kam bërë këtë për shumë arsye, mes të cilave edhe respekti që kam për ata prej jush që jetoni në Shqipërinë tonë të dashur.

Kuptohet që edhe atyre si unë, që jetojnë larg Shqipërisë iu dhemb zemra kur shohin çfarë po ndodh në vendlindje, por ju që jetoni aty jeni të parët që vendosni për të ardhmen e vendit tonë të dashur.

Kam hezituar të komentoj edhe për faktin se nuk kanë qenë të pakta rastet ndër vite kur vëllezër e motra që jetojnë në Shqipëri të na vërsulen ne që jetojmë jashtë saj pa argumenta, se gjoja “është e lehtë të flasësh nga Perëndimi” dhe se është ndryshe të përballesh drejtëpërdrejt me problemet në vend.

Nuk ka dyshim që realiteti shqiptar është i dhimbshëm, por ky nuk është argument bindës për të përjashtuar mërgatën.

Dhe ju sugjeroj të mos bëni sërisht të njejtën gjë edhe tani. Përjashtimi i mërgatës është humbje e madhe për Shqipërinë.

Mërgata nuk ka interesa të vogla, asaj i intereson vetëm një Shqipëri demokratike dhe e zhvilluar. Mërgata ka dhënë prova përgjatë historisë. Edhe në kohët më të vështira të Shqipërisë shqiptarët e mërgatës i kanë dalë në krah dhe i kanë treguar rrugën vendit të tyre.

Pas kësaj hyrjeje të gjatë, le të futemi në temë. Më tepër se për çdo gjë tjetër, Shqipëria ka nevojë sot për të vërtetën. E vërteta është bërë vështirë të gjendet mes etheve që shoqërojnë ndjekjen e axhendave të vogla të individëve të caktuar, por ne kemi aftësinë të analizojmë faktet dhe të nxjerrim konkluzionet tona.

Sigurisht, që konkluzione të tilla kërkojnë paanësi dhe ndershmëri, dhe pakkush në Tiranë po e thotë bindshëm se në përleshjen e djeshme tek Selia e Partisë Demokratike rrjedha e ngjarjeve tregoi se dy grupet rivale i ngjanin dy çetave të pështira e të etura për gjak, po, po, të etura për gjak! Për gjak shqiptari! Thashë pakkush, dhe jo askush, sepse ka patur edhe zëra kurajozë, madje edhe deputetë të PD-së, të cilët kanë përdorur zërin e arsyes në vend të arsyes së zymtë e të dëmtuar nga pasionet e zjarrta.

Për shembull, deputetja Flutura Açka tha se ata që u përleshën në protestë ishin “shpellarë” dhe pamjet filmike të transmetuara drejtpërdrejt e mbështesin sentimentin e shprehur prej saj.

Pra, Shqipërisë nuk i mungojnë njerëzit që duan të vërtetën më shumë sesa çdo gjë tjetër, madje edhe më shumë se ndonjë interes personal i çastit. Kjo i bën ata të thonë se në përleshjen e 8 janarit 2022 nuk kishte asgjë të përbashkët me ato ideale të bukura që përjetuam ne ish-studentët e dhjetorit 1990.

Skenat e dhunës e shkatërrimit në një familje politike përbëjnë një rast unik në sojin e tyre dhe do të mbeten një njollë turpi në faqen e Shqipërisë në sytë e botës.

Le t’a themi qartë e shkoqur: Në aktet e djeshme kishte bashkëfajësi. Nuk ka dyshim se dje kishte individë edhe në ndërtesë edhe jashtë saj të cilët duhet të përballen me ligjin. Çdo aludim tjetër do të ishte i gënjeshtërt.

Është gjithashtu fakt që Lulzim Basha dhe Sali Berisha mbajnë përgjegjësi për përplasjen në PD. Qëndrimet e tyre nuk janë rastësi, ato reflektojnë faktin se ata e shohin veten si pronarë të PD-së, dhe perceptimi i popullit opozitar—segmenti më i rëndësishëm në zgjedhje, jo domosdoshmërisht vetëm baza demokrate—është i parëndësishëm. Berisha e Basha e paraqesin veten si drejtues në një mision historik, por nuk është ashtu. Cilido qoftë misioni ideal në kokat e tyre, ata po i bëjnë dëm afatgjatë PD-së dhe Shqipërisë.

Ata kanë dështuar në mënyrat e veta dhe duhet të largohen për ti hapur rrugën një procesi demokratik dhe riorganizimit të opozitës shqiptare. Pra, nderi më i madh që Basha e Berisha do ti bënin PD-së, popullit opozitar, Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar do të ishte largimi i tyre. Tërheqja do të ishte mirë edhe për vetë ata, nëse duan të lënë pas diçka, sado të vogël, si trashëgimi të kontributeve të dhëna.

Ja pse mendoj unë që Berisha e Basha nuk e bëjnë një gjë të tillë (dhe nuk jam vetëm unë që mendoj kështu): Për Bashën nuk do të them shumë sepse nuk ia vlen.

Kur mendon se ai është edukuar në Perëndim, zhgënjimi vjen natyrshëm. Basha po lufton Berishën me berishizëm dhe ky është ogur i zi si për PD-në ashtu edhe për popullin opozitar në Shqipëri.

Nëse është e vërtetë se Berisha ka ndërhyrë në punët e PD-së në periudhën 2013-2021, perceptim ky edhe mbarëpopullor, Basha nuk duhej të mbetej në heshtje. Heshtja tregon miratim. Basha ka humbur çdo kredibilitet që kishte deri para pak muajve. Një person i edukuar në perëndim nuk thotë se kisha 5004 delegatë në një sallë që nuk mban as 2000 vetë.

Thënë shkurt, Basha duhet të largohet. Ai nuk është pjesë e zgjidhjes. Ai është pjesë e problemit. Tani le të kthehemi tek Berisha e të flasim pak më gjatë. Kjo sepse, për mirë a për keq, ai ka një histori më të gjatë politike.

Kjo histori e gjatë përfshin edhe kapituj tragjikë si rënia e firmave piramidale në vitin e zi 1997 dhe vrasjet e 21 janarit 2011. Kjo histori njeh edhe suksese sikurse mundësimi i lëvizjes pa viza të qytetarëve shqiptarë në Europë, hyrja në NATO etj.

Pas një retrospektive 30 vjeçare, analisti i kujdesshëm konstaton se retorika e Berishës është demokratike, por impulset e tij janë totalitare. Këtë po e dëgjoni nga dikush që kur ka ardhur për të zgjedhur midis Partisë Socialiste (ish-Partisë së Punës) dhe Partisë Demokratike ka mbështetur këtë të fundit, ndonëse nuk ka qenë asnjë ditë anëtar i saj.

Gjithmonë kam besuar dhe e besoj edhe sot se PD-ja i ka tradhëtuar idealet e dhjetorit 1990. Kuptohet, Berisha mbart pjesën kryesore të fajit. Impulset totalitare të Berishës janë ndoshta të paqarta kur je i zhytur në moçalin politik e mafioz të Tiranës, por ato impulse janë të kthjellëta si qielli blu për ne vëzhguesit në distancë, të çliruar nga epshet e pushtetit, drogës e kokëçarjes për mall e gjë.

Unë ndjej dhimbje kur i shkruaj këto rreshta, sepse kam miq që janë mbështetës të zjarrtë dhe miq të Dr. Berishës, por e vërteta duhet thënë sepse ajo do të na çlirojë të gjithëve (sikurse thuhet në Bibël: “And the truth shall set you free”, John 8:32). Për fat të keq, në dëshpërimin e tij për tu dukur flamurtar i parimeve konservatore, Berisha nuk hezitoi të sjellë në Shqipëri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të dalë në tribuna as me ithtarë të Gënjeshtrës së Madhe (the Big Lie), tezës se zgjedhjet presidenciale amerikane u vodhën nga demokratët dhe Presidenti Bajden (Biden) nuk është legjitim.

Berisha doli në foltore pas foltoreje me Evi Kokalarin, të ashtuquajturën aktiviste republikane në SHBA, gjë të cilën Çim Peka dhe të tjerë gazetarë tek Syri TV e gjetkë nuk ngopen duke e përsëritur. Mjerisht, Evi Kokalari është një individ që jeton në një univers alternativ dhe të frikshëm, atje ku e vërteta dhe gënjeshtra nuk përfaqësojnë antipode por sinonime.

Për ata shqiptarë të ShBA-ve, si unë, që e fitojnë jetesën duke thënë të vërtetën, Evi Kokalari përfaqëson pjesën shqiptare të fytyrës së agresionit kundër votës së lirë dhe demokracisë më gjerë. Ata që i bëjnë fresk Kokalarit në Tiranë e gjetkë nuk e njohin axhendën e saj ogurzezë, në kryqëzatën e një ish-presidenti pa skrupuj, i vetmi ish-president amerikan i fajësuar nga Shtëpia e Përfaqësueve në Kongres (impeached) dy herë për akte që përbaltin staturën dhe nderin e zyrës më të fuqishme mbi faqen e dheut.

Si ish-kreu i shtetit shqiptar dhe si individ që trumpeton forcën dhe vlerat e demokracisë, Berisha nuk duhej të merrte baltën e politikës amerikane.

Madje, atij duhet ti vijë turp që shoqërohet dhe pranon përkrahjen e Kokalarit. Berisha duhet të dijë se 6 janari 2021, dita e përpjekjes për puç shteti në Sh.B.A., përvjetori i të cilit u shënua këto ditë, u mundësua nga gënjeshtrat e Kokalarit dhe miqve në rrethin e saj, të cilët ose kanë dalë ose do të dalin së shpejti para drejtësisë amerikane për frymëzimin e një kryengritjeje të dhunshme që synonte pengimin e transferimit paqësor të pushtetit.

Pasi humbi 65 beteja ligjore, shumë prej të cilave përpara gjyqtarëve që i kishte emëruar/nominuar vetë, me paturpësinë më të madhe, Donald Trump i dha ultimatum Sekretarit të Shtetit në Xhorxha (Georgia) të gjente 11780 vota, sepse aq i duheshin të fitonte në të ashtuquajturin Shtetin e Pjeshkës. Këtë pisllëk mbron Kokalari dhe miqtë e saj. Pra, këta janë miqtë amerikanë të Berishës.

Këtë ua thotë dikush që jo vetëm ka jetuar një çerek shekulli në SHBA por edhe që për arsye profesionale i ndjek nga afër zhvillimet e politikës amerikane. Por kjo nuk është tema këtu, le të kthehemi tek Berisha.

Berisha do të mund të shpëtonte diçka prej trashëgimisë se tij politike por ai nuk mund të pranojë të terhiqet pa luftuar. Ky është ai, dhe askush nuk duhet të përpiqet të ndryshojë një 77 vjeçar. Ai e di se akuzat e Departamentit Amerikan të Shtetit për korrupsion dhe minim të demokracisë janë të bazuara në fakte.

Ja po ju jap një fakt të pakontestueshëm: A e mbani mend qëndrimin e Sali Berishës pas bërjes publike të bisedës korruptive të Ilir Metës me të ndjerin Dritan Prifti?!

Edhe pse amerikanët e kishin verifikuar autencitetin e bisedës, Berisha vazhdoi të marrë padrejtësisht atributet e organeve të drejtësisë, ndonëse edhe ato kanë gjynahet e tyre, dhe vazhdoi të ngulmojë se biseda ishte “e montuar”. A mos vallë e ka fajin Sorosi edhe për këtë qëndrim të Berishës?!

Pyetni veten, ju mbështetës të Dr. Berishës, pse e mori ai në mbrojtje Ilir Metën?! Pse u përpoq ai të mbulojë një aferë korruptive?! Ju lutem mos lejoni ndjenjat personale dhe naivitetin tuaj të sundojnë llogjikën e shëndoshë. Ju mund t’a keni të vështirë t’a pranoni, por Sali Berisha nuk është shenjtor.

Nëse nuk mjaftoi çfarë thashë më lart, më lejoni t’ju kujtoj juve që e mbani veten të djathtë se Berisha iu ka shumë borxhe shumë njerëzve, sidomos atyre që dolën më të rropatur nga regjimi komunist. Ai jo vetëm që nuk i integroi kurrë ata në jetën e vendit por, sipas nevojës, ka përdorur edhe dhunë ndaj tyre.

A e mbani mend nxjerrjen me dhunë të të përndjekurve politikë nga greva e tyre e urisë e vitit 1994?! Kjo ishte vetëm dy vjet pasi Berisha dhe shumica e tij qeverisëse e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 22 marsit 1992 lanë në fuqi ligjin famëkeq 7501 mbi tokën, të votuar nga parlamenti i parë pluralist me shumicë socialiste të dalë nga zgjedhjet e para pluraliste të paskomunizmit, ato të 31 marsit 1991.

Lënia në fuqi e atij ligji ishte vjedhja e dytë e pronës, pas masakrës që bëri regjimi komunist i Enver Hoxhës. Kjo ka bërë që të përjetojmë vrasje makabre për një metër gardh, por ligji i mbrapshtë ka dëmtuar rëndë edhe investimet në Shqipëri. Kush ka para për të hedhur kot pa kontrata të rregullta mbi pronësinë?!

Çuditem sesi këta “konservatorët” si Çim Peka kanë lejuar që Berisha të guxojë të thotë se synon t’a bëjë PD-në e rilindur, pas kësaj zallamahie, tërësisht konservatore e Europiane, kur prona është vjedhur dhe jo rrallë ka më shumë se një pronar për të njejtën pronë?!

Po Lirak Bejkon e mbani mend?! A e mbani mend vetëflijimin mes flakëve të benzinës të të përndjekurit politik të diktaturës në vitin 2012, në 100 vjetorin e pavarësisë, vetëm se Berisha, kryeministri i vendit, nuk denjoi të dëgjonte brengat e tij?! Teza famëkeqe e Berishës se ne dolëm nga komunizmi “bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës” i thotë të gjitha ato që duhen thënë për kredencialet konservatore të tij.

A ky është mbështetësi i pronarëve dhe familjeve më fisnike shqiptare, të cilat e artikuluan demokracinë dhe ndjenjën kombëtare kur rrezikohej jeta?! Asokohe, Dr. Berisha kishte një qoshe të ngrohtë dhe ndaj nuk mund ti kuptojë dot persekutimin dhe vuajtjet e familjeve shqiptare, përfshirë timen, nën komunizëm.

Thonë se asohohe, kur qëndrestarët dergjeshin galerive në Spaç, Burrel e Qafë Bari, Berisha ka marrë edhe urinë bllokmenësh dhe e ka dërguar për analiza në Paris. Fundja, kjo mund të këtë qenë puna e tij, dhe nuk dua t’a përbuz, por dua të them se Berisha nuk e ka njohur kurrë dhimbjen, dhe ndaj krejt pakujdesshëm luan me zjarrin.

Pra, ai është sot pjesë e problemit, jo e zgjidhjes. Dhe nuk është vetëm akuza e kundërshtatërëve të tij, se ai po përpiqet të përdorë PD-në si mburojë për të përballuar telashet e veta, por edhe fakti se shoqëria shqiptare e ka të domosdoshme të çlirohet nga kulti i individit, nga sundimi i unit.

A nuk mendoni se ishte tragjike të dëgjoje në foltoret e Dr. Berishës individë që ishin të gatshëm të jepnin nga ditët e tyre dhe që të bënin të sillje në kujtesë mënxyrën e viteve të Enver Hoxhës dhe të harroje se ishim në vitin 2021, mëse 30 vjet nga fillimet e pluralizmit në Shqipëri?!

Kuptohet që një pjesë e ndjejave të shprehura në foltoret e fundvitit ishin reflektim i dëshpërimit që ndjejnë vëllezërit e motrat tona, të cilët shpesh, të rropatur, edhe largohen për ti shpëtuar varfërisë dhe mungesës së shpresës në një vend të marrë peng nga krimi i organizuar dhe mafia politike.

Por kjo nuk duhet të çojë nga një e keqe në tjetrën. Qeveria socialiste e Edi Ramës nuk vihet para përgjegjësisë me folkorizëm primitiv, ajo kërkon më shumë organizim e pjesëmarrje aktive dhe ato i siguron vetëm hapja dhe demokratizimi i opozitës.

Berisha nuk përfaqëson frymën e re në PD. Analistët pranë Berishës po krenohen se lideri historik ka mbështjetjen e rinisë, por askush nuk e shtjellon pse-në. Rinia është më e zhgënjyera dhe më e pashpresa, dhe çdo opsion i ri, pas dështimeve të Bashës, i jep atyre shpresë.

Mjerisht, shumë prej tyre nuk e njohin udhëtimin tonë 30 vjeçar (ca më pak atë në diktaturën komuniste) dhe duan çlirimin nga ai që Dr. Berisha, me të drejtë, quan “narko-shtet”. Sa për Dr. Berishën, ai nuk duhet të ankohet për Bashën sepse e katapultoi vetë, në kurriz të konkurencës së ndershme dhe meritokracisë, kësaj fjale të abuzuar në Shqipëri.

Mbështetësit e Berishës nuk i janë përgjigjur dot një pyetjeje thelbësore: A janë ata të gatshëm të humbin mbështetjen e aleatit tonë më të madh strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të mundësuar mbrojtjen e Berishës?! Këtë pyetje ia drejtoj edhe Komisionit Nismëtar prej 29 anëtarësh, një komision jodemokratik por i emëruar nga Berisha, për rithemelimim e PD-së.

Hesapi i lajthitur se Berisha me karizmën dhe zjarrin e tij konfrontues do ti sjellë demokratët në pushtet është utopi. Statusi i Berishës si i padëshiruar në Sh.B.A. do ti vinte Shqipërisë një njollë edhe më të zezë sesa ajo e shetit mafioz të sotëm. Mjerisht, ata rreth Berishës dhe mbështetësit e tij harrojnë se pa Sh.B.A.-të nuk do kishte as Shqipëri dhe as Kosovë. Dhe mos mendoni se Sh.B.A.-të janë në anën e Bashës, ato janë vetëm në anën e një opozite të shëndoshë.

Sërisht e them, për të gjitha arsyet e parashtruara më lart, për të mirën e të gjithëve, Berisha dhe Basha duhet të largohen. Kjo do të krijonte premisat për një opozitë të re, pa gjak të keq mes palëve. Shpirti opozitar do të zgjohet edhe më i fuqishëm kur të jenë larguar retë e zeza që mbulojnë diellin e ngrohtë në horizontin shqiptar. Sinqerisht, e besoj këtë. Fundja, pse e kanë kaq vështirë të largohen këta njerëz?! Çfarë humbin ata nëse largohen, sikurse u largua roja i ndërtesës së PD-së?!

E përsëris, përveç idealizmit tim në avancimin e çeshtjes kombëtare dhe dëshirës sime për t’a parë Shqipërinë mirë, unë nuk kam axhendë tjetër. Ndryshe nga ata që kanë “gëlltitur një lugë çorbë të prishur dhe e vjellin gjithë jetën”, unë jam i lirë. Unë mund të jem gabim, karakteristikë normale e njerëzve, por mua nuk më dikton askush se çfarë do them.

Nuk i kam borxh politikës dhe askujt as në Shqipëri dhe as këtu në Sh.B.A.. Unë nuk merrem as me teori konspirative për të kënaqur egot e brishta të dështakëve në politikë. Me teori të tilla le të merret Kokalari. E mora këtë kohë për të thënë se njeriu i lirë nuk ka istikam partiak. Njeriu i lirë ka vetëm istikam patriotik dhe kombëtar. Madje, ky istikam është detyrim i secilit prej nesh.

Duhet të them gjithashtu se të qenurit i lirë është ndjenjë e mrekullueshme. Provoje edhe ti! PS: Ndjesë për shqipen jo shumë të mprehtë e të papraktikuar profesionalisht në këto 25 vitet e fundit! Nga Ilir Hysa specialist Censusi , PhD Sh. B.A., 9 janar 2022.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lexoni Gjithashtu

Categories Opinion

A është e vërtetë që Big Brother ndiqet kaq shumë në të gjithë botën, si në Shqipëri?

Nga Ergys Mërtiri A eshte e vertete qe Big Brother ndiqet po kaq shume ne…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

Pse çunat duhet të dalin me çunat

Nga Blendi Salaj Ky është një shkrim për burrat e sotëm, për moshatarët e mi…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

“Nuk dua të vijë dita, kur në Shqipëri të na thonë: Nuk lejohet për shqiptarët”

Në “Tregimin e ditës” në Youtube, Rudina Xhunga foli për vizitën në Koman, ku në…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

Çamëria gurëthemel i Shqipërisë etnike

Çamëria gurëthemel i Shqipërisë etnike. Nga Azgan Haklaj Ajo është pjesë e trungut kombëtar shqiptar…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

Hysni Sharra, një shans për Vlorën europiane, patriotike dhe dinjitoze

Nga Nikola Kedhi Përgjatë dekadës së fundit, të paktë kanë qenë kandidatët për deputetë, këshilla…

LEXO ME SHUME