Apple, shitjet e të cilëve kanë pësuar rënie në tremujorët e fundit, sapo hodhën në treg iPhone 11. Versioni i ri ka kamera më interesante, ekran më të mirë, teknologji të re për të bërë foto, por shumë ekspertë në internet thonë se do të dalë mode pa u hedhur mirë në treg, pasi nuk ka rrjetin 5G. 5G nuk është një teknologji e largët. Përkundrazi, ka qenë një nga temat më të përmendura të vitit.
Huawei ka kryer marrëveshje për ta realizuar ndërtimin e rrjetit në shumë vende, ndërkohë që Koreja e Jugut, Britania dhe disa vende në Europë e kan vënë në punë. Tre celularët e Apple, iPhone 11, iPhone 11 Pro dhe iPhone 11 Pro Max kanë parametra shumë të larta, por asnjëri nuk ka 5G. Huawei, Samsung, Oppo, LG dhe Oneplus janë disa nga kompanitë që e kanë vendosur tashmë sistemin 5G në telefonët e tyre, madje dhe Sony është duke punuar për ta nxjerrë së shpejti.
Po Apple, pse ka mbetur pas? Argumenti i Apple është se 5G nuk është përhapur mjaftueshëm për të ndërtuar diçka të qëndrueshme, ndaj nuk e kanë vendosur. Parimi i tyre është që në telefon të vendosin vetëm pjesë që janë testuar disa herë dhe që u është garantuar cilësia. Kjo mund të jetë e vërtetë, por shumë ekspertë thonë se kur iPhone 11 të jetë përhapur në treg, 5G mund të ketë bërë hapa domethënës, dhe Apple do të ishte shumë mbrapa.