Categories Lajme

Izraeli ngre alarmin: Ka rënë efektshmëria e vaksinës Pfizer

Izraeli ka njoftuar se efektiviteti i vaksinës Pfizer/BioNtech ka rënë, pavarësisht se ajo mbetet shumë efektive në parandalimin e simptomave të rënda të sëmundjes COVID-19. Njoftimi vjen pas përhapjes gjithnjë e më të lartë të variantit Delta të koronavirusit dhe heqjen e kufizimeve të distancimit fizik në Izrael.

Ministria e Shëndetësisë e Izraelit tha se efektiviteti i vaksinës në parandalimin e infektimit dhe të sëmundjes me simptoma ka rënë në 64 për qind, por ajo mbetet 93 për qind efektive në parandalimin e hospitalizimeve dhe simptomave të rënda të sëmundjes.

Në deklaratën e saj, Ministria e Shëndetësisë nuk ofroi të dhëna për nivelin e mëparshëm të efektivitetit ose ndonjë të dhënë tjetër, raporton Reuters.

Megjithatë, në muajin maj, zyrtarët izraelitë publikuan një raport në të cilin thuhej se dy doza të vaksinës së Pfizer sigurojnë 95 për qind mbrojtje kundër infeksionit, shtrimit në spital dhe simptomave të rënda të sëmundjes.

Një zëdhënës i kompanisë Pfizer nuk ka pranuar që të komentojë të dhënat e shtetit të Izraelit, por ai u bëri jehonë të dhënave nga kërkimet tjera që tregojnë se antitrupat e nxitura nga vaksina janë në gjendje të neutralizojnë të gjitha variantet e koronavirusit, përfshirë atë Delta, megjithëse me një fuqi më të ulët.

Izraeli ka qenë kampion në fushatën e imunizimit të popullsisë 9.3 milionëshe. Rreth 60 për qind e banorëve kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës së Pfizer.

Në janar, Izraeli regjistronte deri në 10.000 raste në ditë, ndërsa muajin e kaluar në këtë shtet u regjistruan në ditë raste njëshifrore. Përmirësimi i situatës epidemiologjike bëri që Izraeli të heqë pothuajse të gjitha masat kufizuese.

Në të njëjtën kohë, në Izrael sikurse në pothujase gjitha vendet e botës, varianti Delta i koronavirusit filloi të mbizotërojë rastet e reja të të infektuarve. Numri i rasteve të reja në Izrael gradualisht po rritet si dhe i personave me simptoma të rënda. Për shembull, të dielën u regjistruan 343 të infektuar, ndërsa numri i të sëmurëve rëndë u rrit në 35 nga 21.

Eksperti i Institutit të Shkencës, Ëeizmann, në Izrael tha se nuk ka ndonjë mundësi që vendi të përballet me rritje të shtrimeve në spital. Ai tha se është mirë që jeta të vazhdojë në normalitet dhe pa kufizime, por duke shtuar shkallën e vaksinimit. Varianti Delta i koronavirusit, për të cilin Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se është më ngjitës, ka shkaktuar shqetësim në shumë vende të botës.

Ekspertët e shëndetit publik në Shtetet e Bashkuara theksojnë se fushatat e imunizimit janë çelësi për të mposhtur pandeminë e COVID-19, veçanërisht pasi mutacionet, siç është varianti Delta, po vazhdojnë të shfaqen.  Sipas ekspertëve, të trija vaksinat e autorizuara në Shtetet e Bashkuara – Pfizer, Moderna dhe Johnson & Johnson, kanë rezultuar të efektshme në mbrojtjen nga varianti Delta.

Megjithatë, disa studime tregojnë se niveli i mbrojtjes është pak më i ulët sesa kundër varianteve të para të koronavirusit. Varianti Delta është mbizotërues në Britani të Madhe, mirëpo kryeministri Boris Johnson tha më 5 korrik se vendi i tij, nga data 19 korrik, do të heqë shumicën e kufizimeve./REL

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Aksident tragjik në aksin Cërrik-Elbasan, 31-vjeçari humb jetën pasi përplaset me barrierën e rrugës

Ky  aksident rrugor fatal i ndodhur më 4 shtator 2026, rreth orës 23:30, në aksin Cërrik–Elbasan. Sipas…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Vorë\ Shpërthim me lëndë plasëse në derën e një banese

Shpërthim me lëndë plasëse në Vorë, dëme të lehta materiale Një shpërthim me lëndë plasëse…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Fier, zhduket celulari që iu kap të dënuarit, AMP pezullon nga detyra 4 punonjës

Nga njoftimi i AMSEVP rezulton se bëhet fjalë për një hetim penal të lidhur me zhdukjen…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Dy ‘fole’ prostitucioni në Tiranë, pranga dy brazilianeve dhe kolumbianes

Policia e Tiranës ka goditur dy raste të ushtrimit të prostitucionit në kryeqytet, aktivitet i…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Skafi pësoi defekt në motor dhe rrezikoi të fundosej, shpëtohen 8 anëtarët e një familjeje në Spille

Një skaf me tetë persona në bord ka rrezikuar të fundosej në zonën e Spillesë,…

LEXO ME SHUME