Ish-zëvendëskomandanti i Flotës Detare, Artur Meçollari ka shkuar për herë të dytë në ambientet e SPAK.
Ai do të japë shpjegime për kallëzimin për ndërtimet pa leje që janë bërë brenda bazës ushtarakë të Shëngjinit.
Meçollari paraqitet në SPAK në cilësinë e ish-funksionarit ushtarakë, në lidhje me hetimet që po kryhen për privatizimin e pronave të ushtrisë në Shëngjin dhe Sarandë.
Meçollari ishte në SPAK më datë 9 mars, ku u mor në pyetje nga prokurorët, në të njëjtën ditë me ish-gjeneralin e Forcave të Armatosura, Bardhyl Kollçaku.
Hetimet
Hetimi për këtë çështje ka nisur pas një kallëzimi të ish Zv.Komandantit të Forcës Detare Artur Meçollari, sipas të cilit, dhënia me qera është bërë në shkelje, pasi kjo bazë është pjesë e Planit të Vendosjes dhe të Përhapjes së ushtrisë, e për këtë arsye do duhej marrë dhe miratimi i Presidentit të Republikës, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të armatosura.
Qeveria nga ana e saj i është referuar një vendimi të Këshillit të Ministrave të vitit 2014 “për përcaktimin e kritereve, procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”.
Sipas saj, bëhet fjalë për shfrytëzim me qira, dhe jo nxjerrje nga Plani i Përhapjes dhe Vendosjes, gjë e cila do të kërkonte dhe miratimin nga Presidenti.
Por sipas zotit Meçollari, në padinë dorëzuar në SPAK, në vitin 2021 “pronat në përputhje me ligjin nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit në FA” konsiderohen si kapacitete operacionale të miratuara nga Presidenti i Republikës në listën e Planit të Përhapjes dhe Vendosjes.
Veprimet mbi pronat e Forcave të Armatosura, që konsiderohen kapacitete operacionale, duhet të trajtohen jo vetëm sipas ligjit Nr. 8743, datë 22.2.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, por edhe ligjit nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit në FA”.
