Konfiskohen 4 apartamente me vlerë 300 000 euro në Elbasan. Bëhet me dije se këto aparatamente rezultojnë në pronësi të çiftit të dënuar për trafikim armësh, drogë dhe falsifikim.
Shtetasja Zamira Gjongecaj 48 vjeçe, banuese në Elbasan dhe N. V. alias Besnik Braka, 58 vjeç, banues në Tiranë (bashkëjetues) janë dënuar në vitin 2009, nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për veprat penale: “Trafikimi i armëve dhe i municionit” , “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Kujtojmë se Zamira Gjongecaj në qershor të vitit 2020 ka qenë subjekt i OFL-së, ku duhej të deklaronte pasurinë e saj.
Njoftimi i Policisë:
DVP Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Fasada 4”, si rezultat i punës gjurmuese-policore ndaj pasurive me burime kriminale.
Konfiskohen 4 apartamente me vlerë 300 000 euro, të ndodhura në Elbasan.
Pronarët bashkëjetues, të dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda, në vitin 2009, për trafikim armësh, drogë dhe falsifikim.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Elbasan kanë referuar materialet në Prokurori për iniciimin e një procedimi pasuror dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fasada 4”, kanë konfiskuar 4 pasuri të paluajtshme (apartamente), me vlerë rreth 300 000 euro, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të shtetasve:
-Z. Gj., 48 vjeçe, banuese në Elbasan dhe N. V. alias B. B., 58 vjeç, banues në Tiranë (bashkëjetues).
Këta shtetas janë dënuar ne vitin 2009, nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” , “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës, u konfiskuan 4 apartamente me vlerë 300 000 euro, me sipërfaqe totale rreth 470 m2, të ndodhura në Elbasan.
Vijon puna për gjurmimin dhe konfiskimin e pasurive të tjera që rrjedhin nga veprimtari të ndryshme kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
