Kompania Bankers Petroleum do të përballet me një hetim në bazë të një vendimi të marrë nga Autoriteti i Konkurrencës, për abuzim me pozitën dominuese në tregun e prodhimit dhe tregtimit të naftës bruto.
Kujtojmë se Tosk Energji, që shfrytëzon rafinerinë e Ballshit, kishte bërë një ankesë ndaj Bankers Petroleum, ndërsa vendimi i Autoritetit të Konkurrencës vjen menjëherë pas kësaj.
Në fillim të vitit të kaluar Tosk Energji ka lidhur një kontratë për të furnizuar rafinerinë nga Bankers ndërkohë që sipas saj, kjo e fundit e ka shkelur atë duke e furnizuar me një sasi më të vogël nafte nga sa ishte parashikuar në kontratë.
Kjo e ka vënë në vështirësi financiare duke e detyruar të ndalë punën në uzinën e Ballshit.
“Sa më sipër sjellja e ndërmarrjes Bankers Petroleum Albania Ltd mund të përbëjë një abuzim me pozitën dominuese që zotëron kjo ndërmarrje, në tregun e prodhimit dhe tregtimit të naftës bruto”, pretendon Tost Energji.
Nga ana tjetër Bankers i hedh poshtë këto deklarata duke thënë se e kundërta është e vërtetë.
“Marrëveshja është shkelur nga Tosk Energji, e cila jo vetëm që ka kërkuar të furnizohet me çmim më të ulët se tregu, por nuk ka shlyer as pagesat për sasinë e marrë të naftës. Ligji shqiptar dhe marrëveshja e koncesionit i lejojnë prodhuesit e naftës që ta shesin lirshëm në treg të hapur, prodhimin e tyre. Sipas këtij kuadri, Bankers ka aplikuar të njëjtin çmim shitje që kuoton tregu ndërkombëtar për të gjithë blerësit duke mos diskriminuar asnjë kompani, qoftë kjo vendase apo e huaj”,sqaron kompania Bankers Petroleum.
Në fund, Bankers sqaron se, kompania nuk mund të shesë nën çmimin e tregut, aq më tepër kur blerësit nuk tregohen korrekt në shlyerjen e pagesave.
Ndërkohë, hetimi i këtij konflikti për periudhën nga 1 janari 2016 deri në 31 tetor 2019, pritet të zgjasë 6 muaj dhe në fund Komisioni i Konkurrencës do të marrë vendim nëse Bankers ka abuzuar apo jo me pozitën dominuese në treg.