Kreditë e buta për këtë vit do të jepen nga buxheti i shtetit dhe thirrja për aplikim pritet të bëhet nga qeveria. Lajmin e bëri të ditur nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora.
Sipas Rusetit thirrja nuk do të jetë vëtëm për ata që jetojnë në Tiranë, por për të gjithë qytetarët.
Anisa Ruseti, nënkryetare e bashkisë Tiranë: Ne kemi përmbyllur dhënien e 1000 kredive, kryesisht për çiftet e reja dhe familjet e reja. Ndërkohë jemi duke diskutuar me qeverinë për ta rihapur këtë si program. Ndryshe nga hera e parë që ka qenë e financuar totalisht nga bashkia Tiranë me fondet e saj, kësaj radhe do të jetë qeveria, e cila do të hapë një thirrje jo vetëm për bashkinë Tiranë, por për gjithë qytetarët.
Nënkryetarja e bashkisë tha se për rastin e Tiranës kriteret do të jenë të njëjta. Prioritet do të kenë çiftet dhe familjet e reja.
Anisa Ruseti, nënkryetare e bashkisë Tiranë: Në rastin tonë unë besoj se do të shkojë me të njëjtat kritere dhe me të njëjtat kategori përfituesish, duke qenë se kërkesat që ne kemi më shumë dhe mundësia që është më e madhe për të paguar kredinë vjen nga çiftet dhe familjet e reja.
Nuk ka asnjë datë tha Ruseti, ndërsa theksoi se presin “OK” e qeverisë për t’i njoftuar qytetarët.
Anisa Ruseti, nënkryetare e bashkisë Tiranë: Ndryshe nga herët e kaluara kur ka qenë e buxhetuar nga bashkia dhe programi ka qenë nga ne dhe ne mund të jepnim data fikse kësaj radhe vjen nga buxheti i shtetit. Kështu që duhet të jemi në pritje për dhënien OK nga qeveria dhe në momentin e parë që do kemi këtë konfirmim nga ministria përkatëse do të njoftojmë qytetarët bashkë me listën e dokumenteve që duhet të plotësojnë për këtë program.