Kryetari i bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla ka reaguar ndaj akuzave të ish-deputetit të PD-së, Salianji lidhur me një video të publikuar. Duke e konsideruar montazh nga grupe kriminale, Alla thekson se kjo vjen si pasojë e faktit që grupe të tilla të PD-së u është prerë rruga e vjedhjes. Ai shprehet se ky është një tjetër montazh si ai i Babales dhe se do e çojë në Gjykatë. “Është për të ardhur keq kur një parti që ka bërë histori në këtë vend, një parti që pretendon se është alternativë qeverisëse, e redukton aksionin e vet politik në montazhe e transmetime videosh me Babale. Por, është akoma më kriminale kur kjo parti, e koordinon aksionin e vet politik me grupe biznesi e grupe kriminale, që dikur plaçkisnin pasurinë e Bulqizës me bekimin e Partisë Demokratike. Dhe sot, që Bulqizën nuk e drejton më PD dhe atyre ju është prerë rruga e grabitjes, kthehen të gjithë bashkë në montazhierë për të më shantazhuar mua”, thekson Alla.
Montazhi që po shfaqin sot, nënvizon ai, është seria e radhës e telenovelës Babale, që si për turp shfaqet në TV me Ervin Salianjin, të njëjtin njeri që sajoi Babalen e që sot është dënuar me burg për mashtrimin e vet në atë telenovelë e do të përballet me gjykatën edhe për këtë rast. “Nuk ka shanse që t’ju ecë ky shantazh. Unë nuk jam në detyrë për të kënaqur orekset e mbushur xhepat e klientëve të PD që për vite me radhë e kthyen Bulqizën në një parajsë për grabitje e ferr për qytetarët. Jam këtu për të punuar për qytetarët e thjeshtë dhe jam krenar që një nga punët më të mira që kam bërë ka qenë largimi i asaj tufe grabitësish që sot montojnë video në SHQUP”, deklaroi Alla. Në një deklaratë për mediet, ish-deputeti I PD, Ervin Salianji denoncoi kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla. Salianji tha se “heroina, kanabisi, vjedhja, zhvatja janë cilësitë kryesore të kësaj bande që drejton sot vendin”.
